Emisari evropian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak ka vlerësuar edhe një herë si gurthemel për normalizimin e marrëdhënieve marrëveshjen e Ohrit. “Marrëveshja e marsit është moment historik në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne e dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por, ka shumë “mina” në këtë rrugë që nuk duhet të ecim mbi to. Zgjedhjet vendore në prill ishin njëra prej tyre dhe, për fat të keq, ne shkelëm mbi të”, tha Lajçak. Sipas diplomatit evropian, tensionet në veri të Kosovës kanë sjellë devijim të vëmendjes nga normalizimi i marrëdhënieve tek menaxhimi i krizave mes Prishtinës dhe Beogradit. Situata në veri u tensionua në fund të muajit maji kur kryetarët e zgjedhur të komunave u shoqëruan nga policia për t’u futur nëpër zyrat e tyre. Komuniteti ndërkombëtar ka drejtuar më shumë gishtin nga Kosova për tensionet e krijuara, duke i vendosur edhe masa, ndërsa ndërsa Prishtina dhe Beogradi kanë fajësuar njëra-tjetrën.



