Partia Demokratike ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës së grupit parlamentar. Mbledhja e deputetëve demokratë u parapri nga një takim rreth 90 minuta i ambasadorit amerikan dhe atij të OSBE-së me kryetarin Rama. Në përfundim të mbledhjes me deputetët, kryetari Basha akuzoi kryeministrin Rama për lidhje me krimin, të cilat rrezikojnë zgjedhjet e qershorit.
“Qeveria po luan me kohën,zgjedhjet po afrojnë. Lidhjet me krimin, Rama i ka në funksion të prishjes së zgjedhjeve”, tha Basha.
Ndërsa në lidhje me akuzat e ministrit të shkarkuar, Manjani, ditën e djeshme, Basha tha se ato tregojnë natyrën e qeverisë së majtë.
“Dëshmitë tronditëse që vijnë nga gjiri i qeverisë tregojnë se ky është një gjiriz dhe jo ndërtesë institucionale”, tha ai.
Basha tha se koha për zgjidhje institucionale për zgjedhjet e ardhshme po mbaron.
"PD po nis shqyrtimin e të gjitha oposioneve të aksioneve qytetare, për të arritur atë që kjo qeveri e korruptuar ka refuzuar ta bëjë përmes rrugës institucionale. Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre dhe opozitën do ta kenë në ballë të kësaj beteje", theksoi ai.



