
A kemi në Shqipëri sindikata reale? A kanë ato ndikim në vendimmarrje? A i mbrojnë në praktikë punonjësit?
Për këto pyetje diskutuan të ftuarit e panelit të emisionit “MCN Informacion”, Kol Nikollaj, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Sadetin Fishta, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Bardhok Ndoj, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Gardës, Edison Lika, aktivist dhe Alfred Bushi nga Lëvizja “Bashkë”.
Panelistët ranë dakord se sindikatat në Shqipëri ekzistojnë, por ndikimi i tyre është i kufizuar nga burokracia, mungesa e besimit dhe presioni institucional.
Ato kërkojnë riformatim, transparencë dhe mbështetje ligjore, në mënyrë që të kthehen në zërin real të punëtorëve.
Kol Nikollaj:
Sindikatat sot kanë problem me imazhin dhe me pavarësinë e tyre. Janë si një gotë gjysmë e mbushur, që duhet të prodhojnë më shumë rezultate.
Nuk e kisha menduar kurrë që pas 20 vitesh që merrem me sindikata, do të shihja përsëri punëtorë në grevë sepse punëdhënësi nuk ua siguron jetën.
Në Spaç, 76 punëtorë janë në grevë sepse punëdhënësi nuk njeh sindikatën.
Është e papranueshme që një shtet që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian të ketë kaq shumë indiferencë e mospërfillje ndaj punëtorëve.
Sadetin Fishta:
Sindikatat kanë për detyrë të mbrojnë të drejtat sociale dhe ekonomike të punonjësve. Ajo që na dallon është mënyra se si i mbrojmë këto të drejta përballë punëdhënësit.
Në aspektin praktik, përmes kontratave kolektive, ne kemi kufizuar mundësinë e largimeve kolektive nga puna. Nëse një punonjës polic hiqet sot në kundërshtim me kontratën kolektive, ne kemi fuqinë që, me vendim të Gjykatës së Lartë, ta rikthejmë në detyrë.
Pra, dinamika e punës së sindikatave përqendrohet te kontratat kolektive dhe te e drejta për padi.
Bardhok Ndoj:
Sfida më e madhe e sindikatave është rezistenca që ndeshim nga institucionet.
Si sindikatë, kemi hasur shpesh në mosnjohje zyrtare, ndërhyrje të drejtpërdrejta dhe madje ndëshkime kolektive ndaj anëtarëve tanë.
Në një rast konkret, një vendim gjykate që na jepte të drejtë u hodh poshtë në mënyrë të padrejtë.Ne kemi bërë ankimim, dhe madje edhe Ministri i Brendshëm ka dhënë një vendim në favorin tonë por deri më sot ai nuk është zbatuar.
Edison Lika:
Sindikalizmi është një nga komponentët kryesorë të demokracisë, sepse ushtrimi i përditshëm i demokracisë ndodh përmes sindikatave.
Megjithatë, në Shqipëri mungon kultura sindikale. Njerëzit e pasqyrojnë mosbesimin që kanë ndaj institucioneve edhe brenda vetë sindikatave.
Nga ana tjetër, sindikalizmi lidhet ngushtë me fenomenin e emigracionit, shteti shpesh vihet në anën e punëdhënësit, dhe kjo ka bërë që sindikatat të humbasin ndikimin e tyre.
Shumë prej tyre janë trashëgimi e periudhës së kaluar, pa një organizim të ri e të pavarur. Shoqëria shqiptare e sheh ende sindikatën si një strukturë të së shkuarës.
Alfred Bushi:
Duhet ta pranojmë se punëtori është burimi i çdo pasurie kombëtare.
Fatkeqësisht, puna është kthyer në mjet shfrytëzimi nga një grusht i vogël njerëzish, dhe kjo sjell pasoja si abuzimet, aksidentet në punë dhe mungesën e dinjitetit të punës.
Puna ka nevojë për mbrojtje dhe ajo mbrojtje vjen përmes sindikatave, përmes Kodit të Punës dhe ligjeve që duhet të zbatohen.
Por sot, Shqipëria është ndër të paktat shtete evropiane që nuk ka një Ministri të Punës dhe kjo tregon shumë për mënyrën si trajtohet punëtori brenda sistemit tonë politik.



