
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në seancën e sotme parlamentare bëri kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës, duke kërkuar që të vijë Edi Rama. Bardhi kërkoi që të futet në rend dite kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj. “Ndërprisni seancën e thirreni Kryeministrin të vijë të japë llogari në seancë. Afera e inceneratorëve është një aferë e Arben Ahmetaj, një aferë e qeverisë Rama, është një aferë e Edi Ramës dhe duhet të vijë e të japë llogari”. Bardhi kërkoi që të pezullohet seanca deri sa të vijë Edi Rama në parlament, teksa shtoi se nuk mund ta kalojë në heshtje duke bërë sikur po zgjidh hallet e gjithë botës, ndërkohë që nuk ka zgjidhur hallet e veta. Ai kërkoi që si pikë e parë e rendit të ditës të jetë heqja e imunitetit të Arben Ahmetajt.



