Aktivistja e të drejtave të njeriut Edlira Çepani, thotë se reagimi funksionon gjithmonë dhe është i nevojshëm, për të vendosur një komunikim dhe për të treguar nevojat ku janë.
Për emisionin “Arnautistan”, ajo tha se protestat synojnë që udhëheqësit të tërhiqen më këmbë në tokë, për të treguar se ku janë problematikat, pasi të gjithë duan një jetë më të mirë.
Lamë tre ditë afat për protestat, për tu parë propozimet dhe kërkesat e shoqërisë civile dhe më pas nëse qeveria nuk reflekton për menaxhimin e krizës dhe situatës, protesta tjetër të shtunën në orën 11.00, ku qytetarë nga e gjithë Shqipëria do të jenë atje për të ngritur zërin, për diçka që e mendojnë si abuzive. Kërkesat erdhën se ne pritëm për disa ditë që gjithë aparati shtetëror, të ndërmerrte hapa serioze. Erdhën disa pika të hedhura tek tuk, që nuk e impaktojnë aspak krizën. U detyruam që bashkë me grupet e interesit të listojmë tre pika: lehtësimin e barrës fiskale në mënyrë të përkohshme, mirëfunksionimin e tregut, paketat subvencionuese për biznesin dhe shtresat në nevojë. Janë gjëra që bashkërendohen me njëra tjetrën. Protesta është krejt qytetare dhe erdhi spontanisht dhe është mjaftueshëm e fuqishme, për të bërë ndryshimin.
Sipas saj, protesta dha rezultat pasi u reflektua së pari tek ulja e çmimit të naftës, por se funksionimi i ndërhyrjes duhet shtrirë në disa sektorë.
Çepani deklaroi se paratë e tjera nga buxheti gjenden duke hetuar koncensionet abuzive dhe duke pezulluar ato që nuk janë emergjente.
Lidhur me opozitën ajo tha se nuk ka qenë aktive në asnjë moment, por shtoi se duhet të jenë sa më të shumtë nga të gjitha partitë, pasi problematika i prek të gjithë.



