
Është 47 vjeç, ka lindur në Romë dhe flet katër gjuhë. Alessandra Galloni është gruaja e parë që drejton agjencinë e lajmeve “Reuters”, në 170 vitet e historisë së saj. Galloni pason në këtë detyrë Stephen J. Adler, i cili e drejtoi agjencinë për një dekadë dhe doli në pension pas një karriere si drejtues që i dha agjencisë disa çmime gazetarie, përfshirë shtatë “Pulitzer”.
Alessandra Galloni ka mbuluar politikën dhe ekonominë në të kaluarën dhe ka punuar për 13 vjet në "Wall Street Journal". Ajo do të drejtojë agjencinë e shtypit për të cilën punojnë 2 450 gazetarë dhe rreth 600 fotografë. Për 170 vjet, Reuters ka vendosur standardin për gazetari të pavarur dhe të besueshme. “Është nder për mua të drejtoj një redaksi të mbushur me gazetarë të talentuar”, shkroi Galloni në rrjetet sociale.
Me qendër në Londër dhe e themeluar në vitin 1851, Reuters është një nga agjencitë më të rëndësishme të lajmeve në botë. Ajo ka 15 mijë punonjës në 91 vende.



