SPAK firmos disa urdhër-arreste për llogari të Dosjes 339, në lidhje me shitblerjen e votave, laboratorin e drogës në Has dhe abuzime me pronat në bregdetin e Lezhës.
Sipas burimeve, janë 22 persona të ndaluar në Tiranë dhe Durrës, në zbatim të masave “arrest në burg” dhe “arrest shtëpie”.
Ky operacion është zhvilluar gjatë orëve të natës, në Tiranë dhe Durrës, ndërsa për këtë dosje ka patur edhe më herët të arrestuar.
Në mesin e urdhër arresteve janë edhe disa zyrtarë lokal si dhe persona të tjerë të cilët janë të implikuara në një nga çështjet e sipërpërmendura.
“Dosja 399” është ndarë në disa fraksione ku po hetohet trafiku i drogës dhe shitblerja e votave.
Në maj të këtij viti, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim një nga fraksionet e dosjes së famshme 339.
Dosja me 24 të pandehur, mes të cilëve anëtarë të grupit të Avdylajve të Shijakut si dhe të dyshuarit për laboratorin e drogës në Brenog të Hasit.
Vendimi u mor nga gjykatësja Irena Gjoka, e cila në prill ia ktheu dosjen prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Të pandehurit e kësaj dosjeje akuzohen për një sërë veprash penale mes të cilave “Trafik i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Pastrim parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas Prokurorisë, ata janë përfshirë në role të caktuara në trafikim të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, si edhe për përgatitjen e heroinës në laboratorin e ndërtuar në fshatin Brenog të Hasit.
Laboratori u zbulua në sajë të operacionit “VolVo 4”, në tetor 2018, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme heroine.
Laboratori ishte ngritur në një zonë të thellë malore, brenda dy kapanoneve që më parë, përdoreshin si stalla për bagëtitë.



