
Publikohen pamjet e operacionit të policisë për shkatërrimin e grupit kriminal "Bajri", që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, e ka cilësuar një nga grupet më të rrezikshëm në veri të vendit.
Policia arrestoi 11 persona në kuadër të hetimit 6-mujor me dhjetra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, apo vëzhgimeve dhe me dron, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Mes të arrestuarve është dhe Safet Bajri, pjesëtarë të fisit të tij si dhe ish-portieri i Vllaznisë dhe ish-kandidat i PD-së për deputet në vitin 2013, Armir Grimaj.
Në videon në fjalë shihet se si forca të mëdha policore, zbarkojnë në qytetin verior, ku kapin në flagrancë të arrestuarit, pjesë e bandës ku koka e grupit ishte Enver Bajri, ndërsa rol të rëndësishëm kishte dhe kushëriri i tij Safet Bajri, i cilësuar si ‘i forti’ i Shkodrës.
Në pamjet e policisë shihet se një prej pjesëtarëve të bandës u kap teksa luante bilardo, i armatosur. Ndërkohë, disa prej të arrestuarve kanë marrë masat të mbulojnë kokën, duke vendosur kapuça apo dhe kapele. Safet Bajri u arrestua dje në Tiranë, ndërsa grupi kriminal vepronte në Tiranë, Shkodër, Belgjikë dhe Holandë.



