
Emisioni “Xhadat” trajtoi rastin e Xhevahir Veselit nga fshati Reçan i komunës Bradashesh, të qytetit të Elbasanit, të cilit iu dëmtuan pemët nga ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan në vitin 2011.
Vlerësimi i dru-frutorëve të dëmtuara u bë nga komisioni i Drejtorisë së Bujqësisë Elbasan në vitin 2011, në vlerën 750 mijë lekë të vjetra.
Edhe pse kanë kaluar 10 vite qytetari ende nuk është shpronësuar për këto pemë.
Ai thotë se:
Ja ku e kam proceverbalin, që e fakton që është bërë vlerësimi për pemët e mia, të cilin e kam dorëzuar tek Drejtoria e Shpronësimeve. Që nga viti 2011 dhe deri në 2020 jam interesuar disa herë tek Drejtoria e Shpronësimeve, por nuk ma kanë zgjidhur problemin.
Për t’i ardhur në ndihmë zotit Veseli, emisioni “Xhadat” u drejtua tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili e konfirmoi që zotëria nuk është shpronësuar për dru-frutorët dhe prandaj nuk është likuiduar ende, por sipas Autoriteti Rrugor Shqiptar procesverbali që posedonte qytetari nuk ishte i plotë...
Për të saktësuar këtë procesverbal, emisioni “Xhadat” u interesua pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Elbasan, nga ku u pohua se procesverbali është i rregullt, duke qenë se është lëshuar nga ky institucion.
Specialistja e degës së Luljeta Bodurri, Përgjegjëse e Degës së Bujqësisë Elbasan thotë se:
Me këtë lloj procesverbali janë shpronësuar të gjithë. Këto janë bërë me komision, janë të rregullta. Komisioni nga Njësia Administrative ka bërë vlerësimin, ka parë gjendjen në vend, pastaj komisioni nga ana jonë bëri vlerësimin në lekë për secilën pemë që është shpronësuar. Meqenëse këtu nuk ishte kapur printimi, ja bëra me shënim dhe firmosa poshtë, për të qenë më e besueshme. Shumica janë shpronësuar. Ky nuk e di pse ka ngelur. Ai duhet të drejtohet tek enti i rrugëve.
Pasi u konfirmua nga Drejtoria e Bujqësisë Elbasan që ky procesverbal është i mjaftueshëm për të ndjekur hapat për shpronësim “Xhadat” u drejtua sërish tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili u përgjigj se kësaj radhe procesverbali duhej i njehësuar me origjinalin.
Po kërkojmë procesverbalin të njehësuar me origjinalin nga Drejtoria e Bujqësisë Elbasan, sepse kur ta dërgoj në Ministri për shpronësim ata duan ta legjitimojnë dhe duhet të jetë i njehsuar. Ne deri më sot s’e kemi pasur të njehësuar me origjinalin. Njëkohësisht e kam përfshirë në kërkesën për shpronësim. Sot e firmosa dhe do ta çoj në Agjencinë Shtetërore për Shpronësim dhe më pas vazhdojnë procedurat për daljen dhe zbardhjen e vendimit të qeverisë. Miratohet vendimi i qeverisë për shpronësim dhe pastaj vazhdon me pagesat.
Kështu u shpreh Ermal Shena, Përgjegjës Sektori i Sigurimit të Tokës në Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Në këto 11 vjet askush nuk e informoi qytetarin që procesverbali nuk ishte i plotë, por u desh insistimi i “Xhadave” që qytetari të futej në kërkesën për shpronësim.



