
Në Shqipëri nuk ka kaos dhe as revoltë nga populli. Kështu shprehet kryeministri Edi Rama, i cili pas “RaiNews” dhe “La Repubblica” ka folur për një tjetër media në Itali, gazetën “IlFatto Quotidiano”. Sipas Ramës, “Në Shqipëri nuk ka kaos, por është opozita ajo që po i fryn zjarrit”.
“Nuk ka asnjë lloj kaosi apo revolte nga populli. Në shesh nuk janë as jelekët e verdhë, as sindikatat, as studentët apo grupe anarkistësh, por opozita parlamentare që pak vite më parë u dërgua në shtëpi nga populli pasi e mbytën vendin në korrupsion dhe pandëshkueshmëri. Nuk mjaftoi me kaq, pasi vitin e kaluar morën një goditje edhe më të fortë në zgjedhje. Dhe tani nuk duan të përballen në zgjedhjet lokale, sepse e dinë që i pret një humbje tjetër”.
Ndërkohë përsa i përket djegies së mandateve, kryeministri thotë se opozita e ka bërë për të bllokuar vijimin e reformës në drejtësi.
“E kanë bërë të gjithë për të bllokuar Reformën në Drejtësi që nisëm së bashku me BE dhe SHBA, por që nuk kanë për të na ndalur dot. Tashmë është në rrugë një revolucion i vërtetë kundër sistemit të vjetër e të korruptuar të drejtësisë, nën mbikëqyrjen e miqve evropianë e amerikanë. Do të kemi një prokurori speciale të antikorrupsionit të funksionarëve të lartë, në bazë të ligjit të reformës së miratuar. Më shumë se 50 gjyqtarë e magjistratë të lidhur me afera e të korruptuar, falë Vetingut janë nxjerrë jashtë radhëve të sistemit e shumë të tjerë janë në radhë për t’iu nënshtruar. Të gjithë nën sytë e një skuadre ekspertësh ndërkombëtarë. Si të mos ketë lëvizje të forta nga pjesë të pushtetit të vjetër kundër kësaj qeverie”.
Rama ka deklaruar gjatë intervistës se ai është i gatshëm të hapë dialog fjala vjen me studentët, por shton se “ata që e kanë shkatërruar vendin nuk mund të diktojnë mësimet”, duke iu referuar kështu opozitës, ndërsa e quan jo të vërtetë që shumë kryebashkiakë të partisë socialiste kanë pasur probleme me drejtësinë. Ai ka folur edhe për gjendjen ekonomike në vend dhe emigracionin , duke u shprehur se pavarësisht problemeve dhe sakrificës që duhet të vijohet të bëhet, këta 30 vitet e fundit janë bërë hapa gjigandë në shumë drejtime.
Ndërkohë, për krizën politike në vend ka folur edhe kryeipeshkvi metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Fendo, i cili ka dhënë një intervistë për Radio Vaticana Italia. Sipas Imzot Fendos, rruga e dialogut është “e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit dhe të problemeve!”.
“Situata është tragjike. Mungon dialogu ndërmjet partive politike. Ndoshta fajin e kanë nga pak të gjithë: për të dialoguar, duhet vullnet i mirë, vullnet për të dëgjuar, para së gjithash. E vullneti për të dëgjuar, hamendëson edhe gatishmërinë e përvuajtur. Nuk duhet katandisur në një karikaturë dialogu. Politikanët duhet ta kuptojnë mirë këtë e të kërkojnë dialog serioz, sepse është e vetmja rrugë për zgjidhjen e drejtë të konfliktit. E vetmja! Duhet dëgjim i mirëfilltë i njëri-tjetrit. Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për kompromis”.
Sipas Fendos nuk është hera e parë që në Shqipëri lindin situata tensioni, prandaj, nga ana e partive politike, është e nevojshme të ketë më shumë interesim, për të mirën e përbashkët.
“E mira e përbashkët kërkon edhe një farë flijimi nga ana e të gjithëve.”
Imzot Fendo ka folur edhe për vizitën e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, i cili do të jetë në Shqipëri të hënën e ardhshme.



