
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lalm i Ri”, për kapjen e një shtetasi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Forcën Speciale Renea, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka mirorganizuar punën për kapjen e tij.
Në këtë kuadër është finalizuar me sukses operacioni policor "Lalm i Ri", si rezultat i të cilit është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Edmond Perdoda, 39 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale "Vrasja", dhe në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje", sepse dyshohet që në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin Aleksandër Perdoda (i arrestuar me parë), kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Kol Murrani dhe Preng Simoni.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.



