SPAK ka vënë sot në pranga ish-drejtues policie, biznesmen, drejtues prokurorie dhe persona të inkriminuar, në kuadër të një aksioni të zhvilluar në Tiranë, Shkodër dhe Kukës. Në studion e lajmeve të MCN TV, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, tha se bashkëpunime të tilla mes krimit dhe elementëve të veçantë kanë kalbëzuar një pjesë të strukturave shtetërore. “Akuzat për grup të strukturuar kriminal janë shqetësuese. Krimi është i frikshëm, sot është bërë jo vetëm thjesht i organizuar, por lidhjet e tij me politikën e bëjnë edhe më të rrezikshëm. Pamë rastin e Krujës. Edhe këtu një kryepolic që informonte dhe një prokuror që mbyllte çështjet. Sa i thellë është ky bashkëpunim? Organizime të tilla kanë kalbëzuar një pjesë të strukturave shtetërore. SPAK po tregon profesionalizëm”, tha ai. Softa tha se në Shkodër grupet kriminale vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre, ndërsa shumë efektivë të policisë dyshohet se bashkëpunojnë me ta. “Ata janë të sigurtë sepse mbështeten te njerëz të fuqishëm. Në rastin e Krujës, një strukturë policie ishte vënë në shërbim të një familjeje”, tha ai.



