Nga protesta e qytetarëve e zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u prezantua një lëvizje e re qytetare, e cila artikuloi pesë kërkesa që i cilëson si të panegociueshme dhe i drejtohen kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Gjatë tubimit, organizatorët njoftuan se protesta po hyn në një fazë të re organizimi, duke u përfaqësuar tashmë nga një grup nismëtarësh dhe qytetarësh që, sipas tyre, janë të vendosur ta çojnë kauzën deri në fund.
Një prej përfaqësuesve të protestës deklaroi se nisma ka lindur si reagim ndaj asaj që ai e konsideroi një kërcënim për interesin kombëtar dhe akuzoi qeverinë se me vendimet e saj ka cenuar sigurinë dhe pasuritë publike të vendit.
Pas 5 ditësh protestash të pandërprera në Tiranë dhe duke parë vendosshmërinë e Sovranit për të përmbushur kërkesat tona, ju njoftojmë se kjo nismë mbështetet nga një grup me integritet.
Gra dhe burra dinjitozë, të vendosur për të çuar deri në fund kërkesat e sovranit, do të dimë të marrim në kohë të duhur vendimet e duhura.
Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj një rreziku të madh ku ndodhet vendi ynë.
Deklaroj se protesta është organizuar dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth një kauzë ta drejtë kombëtare për të ardhmen e Shqipërisë.
Sipas organizatorëve, protesta është organizuar dhe drejtohet nga qytetarë të lirë, pa ndikime politike, të bashkuar rreth një kauze që lidhet me mbrojtjen e interesit publik dhe të ardhmes së vendit.
Gjatë deklaratës u paraqitën pesë kërkesat kryesore të lëvizjes:
1. Dorëheqja e qeverisë;
2. Shfuqizimi i statusit dhe i kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;
3. Shfuqizimi i “Paketës së Maleve”;
4. Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
5. Anulimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Organizatorët theksuan se këto kërkesa burojnë nga vullneti i qytetarëve të angazhuar në protestë dhe se do të vijojnë mobilizimin e tyre deri në realizimin e tyre.



