
Ish-kryeministrit Sali Berisha i refuzohet kërkesa për të marrë pjesë në seancat plenare. Ky ka qenë vendimi që ka marrë dje SPAK në lidhje me kërkesën e ish-kryeministrit për të marrë pjesë në Kuvend, ndonëse ndodhet në masën ‘arrest shtëpie’.
Sipas SPAK, masa ‘arrest në shtëpi’ është pothuajse e barabartë me atë të ‘arrestit në burg’, e cila nuk lejon ushtrimin e profesionit. SPAK thotë se masat e sigurisë janë në juridiksionin e gjykatës dhe është kjo e fundit që ka lëshuar një masë sigurie ndaj ish kryeministrit në lidhje me çështjen Partizani.
Sipas Prokurorisë, nuk parashikohet në ligj që deputetët, ndaj të cilëve mund të aplikohen masa të tilla, të ndjekin ndjekin seancat plenare në Kuvend.
SPAK thotë se ndodhur në këto kushte, e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për në Kuvend, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”.
Kjo parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ashtu siç është e papajtueshme edhe për çdo qytetar tjetër që i nënshtrohet kësaj mase, e drejta për të shkuar në punë.
“Në rastin e masave të tjera shtrënguese, siç është detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, konstatohet se e drejta për të ushtruar profesionin, është në përputhje me llojin e masës, pasi personi nuk detyrohet të qëndrojë në banesën e tij”.
SPAK thekson se lloji i masës shtrënguese, vendoset nga gjykata, duke mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret që kërkohen për caktimin e tyre apo respektimi i detyrimeve të tjera që lidhen me një masë sigurimi.
“Aplikimi i masës së sigurimit të arrestit në shtëpi, do të thotë se nevojat për sigurim dhe mbarëvajtje të procesit penal, nevojat për të cilat është vlerësuar të vendoset kjo masë, janë më të mëdha e më të domosdoshme, se sa ato të vërtetuara nga llojet e tjera të masave të sigurimit personal”.
Ishin avokatët mbrojtës të Berishës ata që i ishin drejtuar me SPAK duke argumentuar se kjo është një e drejtë dhe detyrim kushtetues për të përmbushur detyrën si ligjvënës.
Në bazë të vendimit të GJKKO, Berisha ka të drejtë të komunikojë vetëm me personat me të cilët jeton në banesë, duke i pamundësuar kështu vizitat dhe komunikimet me persona të tjerë.



