Politologu Ilir Kalemaj e konsideroi si një përgjigje të matur atë të kryeministrit Mitostakis sa i takon takimit të kreut të qeverisë Edi Rama me emigrantët në Athinë. Kalemaj tha se mes Shqipërisë dhe Greqisë ka një dikotomi përtej çështjes “Beleri”. Duke folur në "MCN Live" ai tha që Athina nuk honeps dot që Tirana s’pe pyet më në përcaktimet e politikës së brendshme dhe të jashtme, dhe Tirana s’honeps më atë që e konsideron si ndërhyrje të Athinës në punët e brendshme.
"Përgjigja që dha Mitsotakis ishte e matur, që ne s’mund të ndalonim një aktivitet që është elektoral i partisë së tij, dhe do zhvillohet edhe në vende të tjera. Në këtë sens ai ishte korrekt në qëndrim. Por lëshoi një paralajmërim, duke thënë mes rreshtave që rruga e integrimit të Shqipërisë në BE, kalon nga Athina. Ajo që nuk thuhet, por është mes rreshtave, është që Greqia s’e kapërdin, përtej çështjes ‘Beleri’, sepse çështja ‘Beleri’ po përdoret tashmë si instrument nga të dyja palët, njëra palë që këtu ka shtet të së drejtës, dhe pala tjetër për të demonstruar që në Shqipëri nuk respektohen të drejtat e njeriut. Por përtej kësaj çështja ‘Beleri’ ka të bëjë me atë që Athina s’e honeps që Tirana s’po e pyet më në përcaktimet e saj qoftë të politikës së brendshme, qoftë të politikës së jashtme. Tirana nga ana tjetër s’honeps dot ndërhyrjen e Athinës në atë që ajo quan çështje të brendshme. Kemi këtë dikotomi apo marrëdhënie e cila pavarësisht kimisë personale mes Ramës dhe Mitsotakisit, që kapërcente sinorët ideologjikë. Z.Rama ka humbur disa shanse, kur kishte një marrëveshje shumë afër mes Bushatit dhe Kocias, dhe u zëvendësua Bushati, dhe z.Rama i mori vet atributet e ministrit të Jashtëm. Ka pasur edhe çështje të tjera si çështja e varrezave greke, duke këmbëngulur te shkollat greke dhe përcaktimi i minoritetit etnik të Himarës, që nuk është në fakt me Kushtetutë”.
Sipas Kalemajt Rama shkoi pa bilanc në Greqi, ndërkohë që në Itali do të ketë si bilanc marrëveshjen për njohjen e pensioneve. Ai tha se vota e mundshme e emigrantëve është e larmishme dhe s’mund të themi se i përket mazhorancës apo opozitës.
"Fakti që takimet po zhvillohen edhe në Milano, Dusseldorf, Londër, tregon që është një nisje e fushatës elektorale. Ajo që më duket absurde që përse duhet të mobilizosh me kuç e me maç nga Shqipëria dhe t’i çosh në Athinë. Nëse i sjell me autobus dhe i detyron rrogëtarët që të vijnë dhe të mbështesin në Athinë, ç’kuptim ka kjo, çfarë sjell, për të prodhuar show, ndërkohë që duhet të vejë me një bilanc. Në Itali shkon me një bilanc sepse është bërë marrëveshja e pensioneve.
Nuk ka lidhje votimi elektronik me votën e emigrantëve, nëse mund të bëhet votimi elektronik mund të bëhen në gjysmën e qarqeve. Te vota e emigrantëve ajo që është shtruar në diskutime është votimi me postë. E vetmja gjë që ka kundërshtuar opozita është që mos jetë Posta Shqiptare, por të jetë postë private. Por si do zgjidhet, sepse jo të gjithë shqiptarët janë të regjistruar me vendbanime fikse. Vota e shqiptarëve në diasporë është e larmishme. Qeveria ka avantazhin që e ka të rrjetëzuar strukturat e tyre në Greqi, Itali, diasporë e me radhë, dhe opozita ka një favor që është votë e pandikuar, e pa blerë”.



