Liqeni Montbel shtrihet në 1,400 hektarë të Francës jugperëndimore, në ultësirën e Pyrenees, ai është një strehë për kafshët e egra, një burim jetik ujitjeje për fermerët dhe ujë për lumenjtë lokalë dhe një parajsë turistike. Por pas dimrit më të thatë në më shumë se gjashtë dekada, ai është një hije e vetvetes.
Nivelet e pakësuara të ujit, varkat e zhytura në tokë, bovat që mbështeten në tokën e plasaritur të shtratit të liqenit, pamjet aktuale të liqenit Montbel të kujtojnë më shumë atë që mund të pritet në fundin e një vere përvëluese. Jo në fund të dimrit.
Aktualisht, në rreth 28% të kapacitetit të tij, nivelet e ujit janë më pak se gjysma e zakonshme për këtë periudhë të vitit.
Liqeni është përballur me kohë të vështira më parë “por kjo është e jashtëzakonshme”, tha Rouquet për CNN. Kjo histori e ekstremeve është ajo që po shfaqet në të gjithë Evropën.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, bora dhe shiu që kanë goditur Kaliforninë kanë ndihmuar në mbushjen e rezervuarëve dhe lehtësimin e thatësirës së pandërprerë, dimri nuk ka qenë aspak i mirë për shumë pjesë të Evropës.
Ende të tronditur nga vera e vitit të kaluar dhe thatësira më e keqe në 500 vjet, pjesë të kontinentit kanë përjetuar nivele kaq të ulëta të borës dhe shiut, saqë frika po rritet për atë që mund të ndodhë me afrimin e verës dhe më gjerë.
Ndërsa ndryshimet klimatike intensifikohen, shkencëtarët thonë se mund të presim që thatësirat dhe valët e të nxehtit të bëhen më të shpeshta dhe më të rënda duke ushtruar presion të madh mbi burimet ujore.

Thatësira e verës së vitit të kaluar në hemisferën veriore u bë 20 herë më e mundshme nga ndryshimet klimatike, sipas World Weather Attribution, një grup studiuesish që përpiqen në kohë pothuajse reale të përcaktojnë se sa rol po luan kriza klimatike në motin ekstrem.
Në Francën jugperëndimore, Solacroup tha se vështirësitë e vitit të kaluar duhet të jenë një paralajmërim për të menduar për përshtatjen afatgjatë, në vend që thjesht të reagojmë ndaj krizave të vazhdueshme. “Vera e vitit 2022, e cila mund të duket e jashtëzakonshme, do të jetë një vit mesatar në vitin 2050”, tha ai.
Ndryshimet afatgjata janë të qarta dhe nuk janë të mira, tha Rouquet. “Ka një lidhje me ndryshimin e klimës dhe ne fermerët e kemi parë prej disa vitesh. Shiu bie ndryshe. Bie shi i fortë ose aspak.”




