Ministria Greke e Emigracionit ka njoftuar se një kamp tjetër emigrantësh pranë Athinës është vendosur në izolim pasi një banor afgan ka rezultuar pozitiv për koronavirusin. Ky është kampi i Malakasa, rreth dyzet kilometra në verilindje të Athinës, i cili është futur në "izolim të plotë mjekësor" për 14 ditë, dhe askush nuk do të jetë në gjendje të hyjë ose të largohet prej tij. Sipas ministrisë, një burrë 53-vjeçar afgan me simptomat e virusit kishte kërkuar personalisht ndihmë nga objekti mjekësor brenda kampit. Ai u dërgua në një spital të Athinës, ku rezultoi pozitiv dhe familja e tij u karantinua. Midis kampeve të emigracionit grek, ku dhjetëra mijëra azilkërkues jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, tashmë ka një shpërthim të virusit në Ritsona, afër Athinës, ku 23 persona deri më tani kanë rezultuar pozitivë për Covid-19.



