Është i tmerrshëm rrëfimi para gjyqtarëve i Bernard Preynat, ish-famullitarit që përfundoi pas hekurave në Francë për akte pedofilie të kryera në djem të rinj në vitet 1971-1991.
Para gjyqtarëve, ish-prifti tha se për 20 vjet "kjo ndodhte çdo fundjavë, gjatë kampeve, mund të ishin katër ose pesë fëmijë brenda një jave".
Gjatë fjalës së tij në Gjykatën e Lionit, Bernard Preynat tha se në atë kohë ai nuk e kuptonte sa e rëndë ishte ajo që po bënte. "Për mua, në atë kohë, nuk bëhej fjalë për sulme seksuale, por për përkëdhelje. Unë gabova. Ajo që më bëri ta kuptoj këtë ishin akuzat e viktimave".
Atë Bernard Preynat, ish-famullitari i Sainte-Foy-les-Lyon, e ka pranuar abuzimin për të cilin akuzohet, në seancën e djeshme në Lion. "Unë nuk e kuptova dëmin që u bëra fëmijëve – është shprehur ai siç raporton gazetarja e France 24, Alexandra Renard - Vite më vonë, prindërit më bënë të kuptoja dëmin që u kisha bërë fëmijëve të tyre. Për mua, ato ishin gjeste butësie. M'u desh ca kohë të kuptoja se ishte e keqe".
Ish-prifti që tani është zhveshur nga funksionet fetare ndodhet i arrestuar dhe pret vendimin për akuzën e përdhunimit të shumë djemve të mitur që frekuentonin famullinë e tij në vitet ’80 dhe ‘90. Ai mund të dënohet me 10 vjet burg. Çështja është bërë emblema e skandalit të pedofilisë në Kishën Franceze, e cila ka përfshirë edhe kardinalin Philippe Barbarin, i dënuar tashmë me 10 muaj me kusht për mosdenoncimin e rasteve, pavarësisht se ka qenë në dijeni.



