Eksperti i ekonomisë në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, thotë se grupi parlamentar demokrat po zhvillon mbledhjen ku do të diskutohen idetë lidhur me projektbuxhetin e vitit 2025.
Nga studio e MCN Live, ai deklaroi se nuk mund të shkosh në Kuvend, në një kohë kur gjithçka është fasadë, por u shpreh se në mbledhjen e grupit të PD do të ketë një vendimmarrje lidhur me vendimin që do të merret për qëndrimin në Kuvend dhe projektbuxhetin.
Ai tha se projektbuxheti për vitin që vjen nuk sjell zhvillim, por se çon llokmat për qeveritarët dhe thërrime për shqiptarët.
Normale do ishte që të diskutoheshin gjërat në parlament, por dhe herët e tjera kur bënim diskutime dhe propozime na hiqej fjala dhe propozimet dhe amendamentet tona nuk kanë gjetur kurrë mbështetjen e mazhorancës.
Gjenin mbështetjen në korridoret e Kuvendit, te kafeja e Kuvendit, por kur vinte puna për votimin, kurrë nuk e kanë votuar.
Buxheti është një instrument, objektivi është mirëqenia e ekonomisë. Ky projektbuxhet që ka ardhur sot, a më siguron jetesë më të mirë për qytetarët? Jo!
Asgjë nuk ndryshon, e njëjta shpërndarje që është aktualisht po mundohet të mbahet dhe për vitin e ardhshëm, një shpërndarje me llokma për disa dhe populli disa thërrime dhe kocka për shtresat në nevojë.
7.6 miliardë euro do na i marrin me taksa dhe tatime, ndërkohë që do marrin dhe 600 milionë shtesë, të cilat janë sërish në kurrizin tonë. Do të kesh rritje të borxhit dhe shpenzimeve publike.
Të kesh buxhet 8.2 miliardë euro, duhet të bësh diçka që të jetë e dukshme. Cilat nga sfidat që ka shoqëria shqiptare i përgjigjet vitit të ardhshëm? A ma zbut varfërinë? Jo!
Thërrimet për shqiptarët, llokmat për qeveritarët dhe miqtë e tyre. 9 herë më shumë buxhet portit të Durrësit se sa pensionistëve.
Ndërkohë 60% e ilaçeve paguhen nga xhepi dhe vetëm 40% rimbursohen. Buxheti i vitit të ardhshëm nuk është as për shtresat në nevojë, as për sipërmarrjen, as shëndetësinë dhe as për fermerin.
Të fundit ishim në rajon, të fundit jemi. Ky projektbuxhet është një tepsi e madhe ku llokmat e mëdha i jepen miqve, shokëve, oligarkëve dhe tenderave pa garë.
Buxheti shërben për të pasuruar një grusht njerëzish, por 90% e njerëzve që janë të varfër nuk ka asnjë lajm i mirë.
Thjesht bëhet gati thesi me miell dhe 100 apo 200 euroshi për blerjen e votës.



