Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, thotë se dosja e SPAK për Arben Ahmetaj është e kufizuar dhe nuk përfshin abuzime të denoncuara rregullisht nga opozita. Vasili tha se dosjes i mungon qëllimisht abuzimi me programin e rindërtimit, ndërsa akuza fokusohet te pasuria e tij private, duke lënë qëllimisht në hije abuzimin me pasurinë publike. "Inceneratori i Tiranës flet vetë. Po qëndroj te një moment. Një punë që duhej të bënte SPAK ishte investigimi që Monika Kryemadhi bëri me mënyrën si trajtoheshin mbeturinat. Ato nuk incenerohen, por groposen. Por paguhet sikur të inceneroheshin. Peshën financiare e ka Tirana, por shkelja dhe hajdutëria vazhdon për të dy inceneratorët e tjerë. Inceneratori nuk funksionon, por është marrë në dorëzim vite më parë. Inceneratori i Elbasanit ka bërë remont ende pa filluar punë. SPAK-u është një drejtësi që vepron me regji. Nuk lëvizi gishtin sepse denoncimet ndodhën përpara zgjedhjeve. Zoti Ahmetaj nuk mbulonte vetëm inceneratorët, mbulonte edhe rindërtimin, ku e dini sa kanë qenë abuzimet. Pra është e çuditshme kjo që bën SPAK. Partia e Lirisë ka ngritur fakte shumë të mëdha. Këta nuk dinë? Dinë shumë mirë sepse kapin edhe elementin e fundit të pasurisë private. Po pasuria publike? Nuk duan sepse në krye të abuzimit është Edi Rama.



