Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka deklaruar se vendi ka bërë hapa përpara në rrugëtimin e tij drejt integrimit, por nënvizoi se progresi duhet të jetë i prekshëm në të gjitha reformat.
Gjatë fjalës së saj në ditën e parë të Takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) Shqipëri-BE, ambasadorja theksoi se përfitimet reale të procesit do të ndihen nga qytetarët vetëm nëse ligjet hartohen përmes konsultimeve të plota dhe zbatohen siç duhet në praktikë.
Sipas diplomates së BE-së, Shqipëria ndodhet në një moment kyç për shkak të ecurisë me Grupkapitullin e parë (Themelorët), duke e bërë anëtarësimin një proces më konkret.
De Sousa vuri në dukje se për të arritur mbylljen e negociatave në fund të vitit të ardhshëm, duhet të ruhet ritmi aktual dhe rezultatet në reformën në drejtësi duhet të jenë të pakthyeshme.
Ky takim po ndodh në një moment shumë të rëndësishëm të rrugëtimit të Shqipërisë në BE.
Është bërë progres, por duhet me shumë punë. Grupkapitulli 1, procesi ka ecur përpara. Shqipëria është në një fazë, ku procesi i anëtarësimit bëhet më e prekshme.
Për të arritur mbylljen e negociatave në fund të vitit tjetër, duhet të ruhet ky çast, duhet të ketë progres në të gjitha reformat. Shqipëria ka bërë hapa përpara në drejtësi.
Kjo nuk është një punë që mbyllet këtu. Këto rezultate duhet të jenë të pakthyeshme.
Përpjekja për të ruajtur ritmin e reformave duhet të vazhdojë. Mbetet ende një pjesë e madhe e legjislacionit që duhet të miratohet me shpejtësi.
Përfitimet e reformave do ndihen nëse ligjet hartohen dhe zbatohen mirë. Duhet të bëhet konsultim kuptimplotë para se të miratohet. Reformat që lidhen me BE, prekin çdo aspekt të jetës.
Në fund të fundit, prekin çdo qytetar. Duhet të kemi qasje që të përfshijë të gjithë shoqërinë. Parlamenti ka një rol kyç për të bërë diçka të tillë.



