Karabina: Arsimi në Shqipëri s’ka lidhje me tregun. Kaptelli: Ka nevojë për financim. Saliaj: Universiteti i Vlorës nuk është i nënfinancuar

Karabina: Arsimi në Shqipëri s’ka lidhje me tregun. Kaptelli: Ka nevojë për financim. Saliaj: Universiteti i Vlorës nuk është i nënfinancuar

Gjendja e arsimit të lartë, rënia e numrit të studentëve dhe propozimi për hapjen e katër universiteteve të reja u diskutuan në studion e “MCN Live”, ku të ftuar ishin ish-ministrja e Arsimit dhe pedagogia Mirela Karabina, kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli, si dhe rektorja e Universitetit të Vlorës, Aurela Saliaj.

 

Karabina ngriti shqetësimin për mënyrën se si po trajtohen problematikat e arsimit të lartë, duke argumentuar se, pavarësisht konstatimit të vazhdueshëm të problematikave, nuk po shihen zgjidhje konkrete. Ajo kundërshtoi edhe idenë për hapjen e universiteteve të reja, në një kohë kur, sipas saj, institucionet ekzistuese përballen me probleme financimi, infrastrukture dhe autonomie.

 

Si çdo fillim viti ne bëjmë një bilanc dhe problematikat që ka arsimi, kryesisht arsimi i lartë, i gjejmë gjithmonë të njëjta. Jo vetëm brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht është cilësuar si një arsim i nënfinancuar, me probleme me kurrikulat që janë të vjetëruara. Arsimi i lartë është një e mirë publike dhe, me modelin europian që është financuesi dhe mbështetësi, duhet të jetë në nivelet që duhet t’u përgjigjet kërkesave të shoqërisë. Por kur sheh këtë bilanc që nuk i përgjigjet kërkesave të tregut, atëherë nuk shkon. Kemi një agjenci dhe pavarësisht se aty shkruhen problematikat me programet që nuk i përgjigjen tregut, si fillim viti kemi një deklaratë të kryeministrit që, pa u konsultuar shoqërisht, do të hapen katër universitete të reja, ndërkohë që nuk shohim asnjë përmirësim të këtyre problematikave që hasim.

 

Sipas Karabinës, vëmendja duhet të përqendrohet fillimisht te përmirësimi i universiteteve ekzistuese dhe jo te shtimi i institucioneve të reja. Ajo tha se përgjegjësia për financimin, autonominë dhe cilësinë e arsimit mbetet te qeveria.

 

Problematikat në arsim nuk po zgjidhen, por vetëm po konstatohen, ndërsa kryeministri flet sikur nuk është në mandatin e katërt. Flet për programe studimi që hapin universitete, por nuk mban përgjegjësi që e ka lënë universitetin të nënfinancuar dhe autonominë të cënuar. Ne duam që të na vësh gishtin dhe të bësh farsa, por të na gjesh zgjidhje. Ndërmarrim reforma, flasim për arritje, por nuk lidhemi fare me infrastrukturën dhe këtu qëndron e gjithë problematika që ne kemi. Pastaj gjithçka është në dorë të qeverisë, ku mungon cilësia dhe transparenca.”

 

Në një qëndrim ndryshe, rektorja e Universitetit të Vlorës, Aurela Saliaj, mohoi se institucioni që ajo drejton është i nënfinancuar. Sipas saj, universiteti ka marrë financimin më të lartë të regjistruar deri më tani dhe gjatë dy viteve të fundit ka shënuar rritje të numrit të studentëve.

 

Universiteti i Vlorës nuk është i nënfinancuar. Nuk kemi pasur ndonjëherë financim më të lartë se sa kemi pasur për këtë vit, konkretisht 620 milionë lekë të reja nga granti i Ministrisë së Arsimit. Çdolloj financimi nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, por është një mirëfunksionim dhe pikësynimi ynë është ta financojmë për ta ngritur në standarde të larta universitetin. Ne kemi marrë fonde të rëndësishme për të nxitur kërkimin shkencor dhe Universiteti i Vlorës ka arritur të sigurojë tetë projekte të siguruara nga AKSHI.

 

Saliaj u ndal edhe te numri i studentëve, duke deklaruar se Universiteti i Vlorës nuk ka pasur rënie gjatë dy viteve të fundit, por përkundrazi ka regjistruar rritje të ndjeshme në disa programe studimi.

 

Dy vitet e fundit numri i studentëve në Vlorë është rritur. Vjet kemi regjistruar 20% studentë më tepër se një vit më parë. Në programet master të mësuesisë kemi pasur rritje, ndërsa bachelori ka qenë në trendin e viteve të fundit, por ulje nuk ka pasur. Kemi pasur regjistrime edhe në kimi dhe biologji. Kjo tregon se kur universiteti ofron programe që kanë kërkesë dhe krijon kushtet e duhura, studentët vazhdojnë ta zgjedhin arsimin publik.”

 

Ndërkohë, kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli, e lidh rënien e numrit të studentëve me një sërë faktorësh, duke vënë në qendër emigrimin dhe zgjedhjen e universiteteve jashtë vendit. Ai kërkoi rritje të financimit për arsimin, duke argumentuar se kjo mbetet një nga problematikat kryesore të sistemit.

 

Arsimi i lartë dhe parauniversitar prej vitesh po përballet me sfidën e uljes së numrit të studentëve nga viti në vit. I jam referuar INSTAT-it, i cili i ka të dhënat nga Ministria e Arsimit, dhe rënia është në 28%, që është një shifër e madhe dhe nuk dihet se ku do të shkojë. Arsyet dihen, pasi pjesa më e mirë e maturantëve fitojnë bursa jashtë shtetit, ndërsa fëmijët e biznesmenëve shkollohen jashtë.

 

Kaptelli solli në vëmendje edhe nivelin e përfaqësimit të arsimit publik në zgjedhjet e familjeve shqiptare, duke e lidhur këtë me nevojën për investime më të mëdha në universitete.

 

Sot, nëse do pyesim dhe t’i shohim të gjithë ata që janë ministra, as në shkollë të mesme publike nuk i çojnë fëmijët. Numri i studentëve është 115 mijë në total në rang vendi, sipas INSTAT-it. Ku po shkon arsimi atëherë? Këto universitete për t’u përmirësuar kanë nevojë për më shumë para. Arsimi ka nevojë për më shumë financim, për atë buxhet që ne e kemi kërkuar prej 15 vitesh e më shumë, për atë buxhet që e ka kërkuar dhe vetë kryeministri.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy