Një tjetër mjeke në vendin ka ndërruar jetë si pasojë e virusit COVID-19. Betejën me virusin e rrezikshëm e ka humbur mjekja pneumologe, Flutura Hashorva. Mësohet se ajo ka qenë e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Prej 48 vitesh, mjekja Flutura Hashorva ishte në profesionin e pneumologes, ku fillimisht shërbeu në Sanatorium, Dispanceri dhe më pas në një klinikë private në Tiranë. Lajmin e ndarjes nga jeta të saj e kanë dhënë miq e të afërm të doktoreshës, duke postuar dedikime prekëse në rrjetet sociale.
“Edhe një lajm tjetër i keq për komunitetin e mjekëve. Sot u nda nga jeta dr. Flutura Hashorva, pneumologe, e cila shërbeu në pavionin e parë të pneumologjise pranë QSUT së bashku me të nderuarin Prof Elez Selimin. Në vitin 1983 u transferua në spitalin e mushkërive, ish-sanatoriumi e më pas pranë dispancerisë së Tiranës. Dr. Flutura u shqua gjithmonë për profesionalizmin e saj, komunikimin e mirë si me kolegët dhe pacientët. Ajo dha kontributin e saj në luftën kundër këtij virusi të tmershem deri ditën që u infektua dhe vetë. Kolegët më të cilët punoi për shumë vite në spitalin universitar Shefqet Ndroqi u përpoqën shumë por nuk e shkëputën dot nga kthetrat e vdekjes. Do ta kujtojmë gjithmonë kolegen, shoqen dhe miken tonë të dashur. Të qoftë dheu i lehtë e dashur Flutura!”, shkruan një prej mikeshave të saj.
“Një ikje tjetër shumë e trishtueshme dhe e parakohshme e familjes Hashorva ka mbushur plot sy me lot dhe zemra të thyera në këtë ditë të sotme. Doktoresha Flutura Hashorva falënderimet dhe dashuria që ke dhënë për të gjithë ne si familjarë, si miq e si pacientë janë të pakta për ti shprehur sot në këtë hidhërim për ikjen tënde në parajsë dhe për t’u bashkuar me njerëzit dhe të afërmit e t’u që na kanë lënë para kohe. Shpirti jot i artë u prehte në paqe dhe të qoftë dheu i lehtë. Do na mungosh shumë por do të kujtohesh si një dritë që shkëlqen gjithmonë”, shkruan një tjetër.



