
Gara për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka nisur pas shkarkimit nga detyra të Ilir Prodës.
Aktualisht, në garë vijojnë 14 kandidatët e mbetur, të cilët kanë eksperienca të mëparshme në drejtimin e drejtorive në qarqe të ndryshme të vendit.
Në një intervistë për “MCN Informacion”, kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, vlerëson se institucionit i ka munguar ndër vite një drejtues me frymë kolegjiale.
Sipas tij, do të ishte më e drejtë që drejtuesi i ri të zgjidhej nga vetë strukturat e policisë.
Ne kemi pasur komunikim me të gjithë drejtuesit dhe shpresojmë që cilido prej tyre të jetë korrekt në zbatimin e ligjit dhe në menaxhim. Problemi kryesor ka qenë mënyra e drejtimit, e cila shpesh ka qenë individuale dhe jo kolegjiale.
Ka munguar një drejtues që të delegojë kompetencat dhe të drejtojë me frymë bashkëpunuese.
Gara do të ishte më e drejtë nëse drejtuesit do të përzgjidheshin nga vetë strukturat e policisë.
Ne kërkojmë gjithashtu që edhe sindikata të ketë të drejtë vote.
Kandidati me përvojën më të gjatë dhe më të qëndrueshme në drejtimin e Policisë së Shtetit do të ishte zgjedhja më e mirë për këtë post.



