Qeveria po amendon në Komisionet parlamentare, ligjin “Për Policinë e Shtetit”, ligj i cili ka ngjallur debate mes institucioneve të pavarura në vend. Ndryshimet që parashikohen, kanë të bëjnë mbi mënyrën se si do të procedojnë institucionet për përgjimet në ambientet publike dhe kompetencat që policia pritet të marrë me ngritjen e Komitetit Antikrim. Për TvT-në, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, thotë se me ndryshimet ligjore që janë parashikuar nga ligjvënësit, policia nuk merr kompetencat e prokurorisë dhe gjykatës, dhe se kjo vetëm sa do ta ndihmonte policinë në zbulimin e krimit.
Policia ka për detyrë të nisë dhe të ndihmojë hetimin penal për të dënuar fajtorët, por për mua detyra më e madhe është ruajtja e rendit. Rendi nuk ruhet vetëm duke dënuar. Ky aspekt nuk ka pse shkon te prokurori dhe gjykatësi, që të merret leje se u përgjuan në një ambient dy kriminelë. 99% e popullit nuk ka asnjë lidhje me këtë aktivitet. Edhe politikanët të mos tremben se nuk i ka njeri fare në mendje. Ata dalin hapur dhe flasin. Po nuk folën hapur, ata janë të mbaruar.
Por ajo që mund të kontestohet, thotë Klosi është mënyra e metodologjisë së pajisjeve gjurmuese, për të cilat institucionet hetimore nuk japin “llogari”. Gjatë veprimtarisë së një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të krimit, Policia e Shtetit ka të drejtë sipas amendimeve, të përgjojë në ambiente publike. Por sa të pranueshme janë këto për qytetarët?
- Pse të më përgjohet mua numri?
- Nuk më duket e drejtë, është budallallëk.
- Nuk e quaj cenim. Për të gjitha këto që ndodhin, është normale. Unë nuk do të përmbys pushtetin. Ne jemi në një shoqëri të hapur, nuk është kontroll.
Ngritjen e komitetit anti-krim, varësinë e të cilit do ta ketë ministri i Brendshëm, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, nuk e sheh shqetësuese, për faktin se siç thotë ai, një komitet i tillë ka ekzistuar më herët.
Ka qenë në kohën tonë. Në kohën kur kam qenë unë në SHIK nuk ishte i institucionalizuar me ligj, por ne e bënim vetë. Shumë më shpesh se një herë në tre muaj dhe vinin ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, prokurori i përgjithahëm. Ishim shumë më miq se sot me njëri-tjetirn. E ndienim më shumë që kishim të njëjtën detyrë: për të ruajtur rendin, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin. Dhe e bënim vetë, për t’u konsultuar.
Projektligjin e ka kundërshtuar më herët edhe Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, me pretendimin se Policia e Shtetit ndërhyn në kompetencat e tyre, të cilat janë përcaktuar qartazi në Kushtetutë e ligj.



