Gazetari dhe analisti Ben Andoni tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se kredibiliteti i SPAK-ut varet nga mënyra si do kopsitet çështja “Veliaj”, i cili konsiderohet zyrtari më i lartë i hetuar deri më sot. Andoni nuk mendon se mund të ketë një lehtësim të masës së sigurisë për Veliajn gjatë seancës së ditës së nesërme. Po ashtu ai beson se kryebashkiaku mund të ndryshojë strategjinë e mbrojtjes në ditët në vijim.
“Mendoj që është veprimi i duhur sepse hetimet janë në proces. Unë po mendoj që të paktën sistemi i drejtësisë do kohën e vet për t’i shkuar brenda akuzës që është ngritur. Drejtësia përballet me një problem shumë të madh, sepse është rasti më i lartë që ata po godasin, dhe nga mënyra si do kopsitet kjo dosje, kini parasysh që do jetë gati përballë publikut kredibiliteti i SPAK-ut deri në ditët e sotme.
Kjo përballje dhe mosdhënia e mundësive për kthimin pas të sekuestrove, është ajo që po tregon që sistemi i drejtësisë po merret jashtëzakonisht seriozisht me një nga rastet më të vështira. Logjikisht besoj që për z.Veliaj është jashtëzakonisht e vështirë të marrë masë të lehtë arresti. Strategjia e tij nuk është e duhura, pasi z.Veliaj duhet të përgatitet me shumë kujdes për mbrojtjen, pasi mbi kurriz ka një barrë të jashtëzakonshme për të hequr dhe për t’u përballur.
Prokuroria duket se po merret me shumë seriozitet me rastin Veliaj dhe mendoj se është shumë e vështirë për një masë më të lehtë. Besoj që nga nesër do zgjedhë strategji tjetër. Përballja me gjykatën do jetë jashtëzakonisht e vështirë për të”.
I pyetur a do të ketë të tjera goditje djathtas nga SPAK-u, Andoni tha:
“Kjo është te pjesa e teorive që bëhen. SPAK ka marrë shumë çështje. Deri në maj do marrim vesh realisht vizionin e tyre. Pas majit z.Berisha është zotuar që SPAK-un ta shkrijë dhe socialistët që ta reformojnë. Pas majit s’do kemi këtë lloj qartësie për SPAK-un. Problemi s’është më te SPAK-u por te GJKKO. Nëse do jenë vendimet e gjykatës të kopsitura do t’i bëjë nder SPAK-ut, dhe do jetë nder për sistemin e drejtësisë”.
Ndër të tjera analisti u shpreh se Klotilda Bushka duhet të kishte kurajon që për disa gjëra të fliste hapur dhe të tregonte sa më qartësisht pozicionin e saj, sepse në qoftë se me ecurinë e gjyqit të Veliajt do dalin evidenca të qarta për përfshirjen e saj do jetë shumë vështirë kur të jetë vonë.
I pyetur për strategjinë elektorale të Ramës dhe listat e kandidatëve për deputetë, Andoni tha:
“Po ta marrësh de jure është veprim jashtëzakonisht i mirë për të treguar që PS u jep frymë individëve të rinj. Zgjedhja që ka bërë është shumë e mençur. Jo thjesht t’i mobilizojë militantët, por të tregojë që në këtë parti kishte një lloj partie dhe zgjuarësie. Sistemi patronazhist është aq i mirëkalkuluar saqë i dinë caqet e tyre. Ajo që të shqetëson është ligjërimi i tij. Momenti që identifikohet me partinë dhe njerëzit e tjerë janë thjesht zgjatime të tij”.



