Paralajmërimin e kryeministrit Rama se Shqipëria mund të dalë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit ICSID, analisti Ilir Kalemaj e sheh si dëshirë të tij për të shmangur llogaridhënien. Kalemaj tha në studion e MCN TV se në çdo rast, paratë Beketit do t’i paguhen dhe ato do të dalin nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.
Në Shqipëri, llogaridhënia është koncept i huaj. Kryeministri ka thënë me muaj se nuk i japim asnjë cent Beketit. Tani del që ai ka fituar të gjitha shkallët e arbitrazhit dhe do t’i marrë kokërr më kokërr këto qindra milionë euro, me të cilat mund të ndërtoheshin shkolla e spitale. Nga arbitrazhi kanë dalë vende si Venezuela, Ekuadori, El Salvadori. Aty ka një klauzolë, që edhe nëse del, ti do t’i paguash këto para. Është përgjegjësi tërësisht e kësaj qeverie. Këto para dalin nga buxheti i shtetit dhe paratë e taksapaguesve.
Ndërsa lidhur me aferën e inceneratorëve, Kalemaj tha se pyetja që drejtësia duhet t’i japë përgjigje është se ku kanë shkuar paratë.
Nuk do të thoja që opozita mbron Ahmetaj. Më shumë janë insinuata të Berishës. Nëse mund të flasim për një afrimitet më ë madh të Ahmetajt me Partinë e Lirisë, kjo që qenë për shkak të luftërave të brendshme brenda PS. Kjo ka pak interes publik. Interesi publik është ku kanë shkuar paratë e inceneratorëve. A mbaron përgjegjësia te ata që janë pas hekurave etj.



