
"Presidenti Hashim Thaçi, është i gatshëm të përmbush kërkesën e kryeministrit Haradinaj dhe opozitës që të raportojë në Kuvend për marrëveshjet me Serbinë që arrihen në Bruksel". Kjo deklaratë është bërë nga këshilltari i kreut të shtetit kosovar Bekim Çollaku.
Presidenti Thaçi, i cili po vazhdon të udhëheq bisedimet me Serbinë pa pajtim të të gjithë spektrit politik në vend, megjithatë, sipas Çollakut, do t’i bindet opozitës dhe kryeministrit Ramush Haradinaj për të raportuar në Kuvend.
“Presidenti i Republikës se Kosovës gjithmonë ka qenë dhe është i gatshëm t’i raportoj Kuvendit të Republikës se Kosovës dhe qytetareve tane, për procesin e dialogut për normalizim te marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Çollaku.
Ai i pyetur nëse Thaçi do të raportojë pas çdo takimi, ka thënë se për mënyrën e raportimit vendos Kuvendi i Kosovës.
Edhe kryeministri Haradinaj, të martën pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se do të ishte mirë që presidenti të raportojë para Kuvendit për bisedimet me Serbinë.
Raportim të presidentit para deputetëve ka kërkuar edhe Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit.
Partitë opozitare dhe Nisma Socialdemokrate e cila është në koalicionin qeverisës, janë shprehur kundër që Hashim Thaçi të jetë udhëheq fazën e dialogut.
Ata kanë thënë se Presidenti nuk mund ta udhëheq dialogun, pasi Kuvendi do të anashkalohej, pasi nuk ka kompetencë për mbikëqyrje të presidentit.
Presidenti me Kushtetutë obligohet një herë në vit të raportojë në Kuvend. Takimi i radhës Thaçi-Vuçiq në Bruksel pritet të mbahet pas dy javësh.



