Ish-presidenti Barack Obama ka bërë një kritik të ashpër ndaj presidentit të Amerikës Donald Trumpit, duke sulmuar pasardhësin e tij me emër për herë të parë, në një fjalim emocionues që denoncoi “politikën e frikës dhe pakënaqësisë”.
Në fjalimin e tij të parë të rëndësishëm që prej largimit nga Shtëpia e Bardhë, Obama u bëri një apel të gjatë votuesve anembanë Shteteve të Bashkuara për të rikthyer “demokracinë e shëndoshë”, e denoncoi gjithashtu taktikat e përdorura nga Trump dhe republikanët në Uashington si një kërcënim të paprecedentë ndaj të ardhmes së vendit.
“Të ndash në klane, të udhëheqësh mes frikës, të vendosës njërin grup përballë një tjetri, t’u tregosh njerëzve se rendi dhe siguria mund të vendosen vetëm nëse mënjanojmë ata që nuk duken si ne, nuk mendojnë si ne apo nuk luten si ne…kjo është një histori e vjetër, e lashtë sa vet koha”, tha Obama.
“Kjo nuk nisi me Donald Trumpin, ai është thjesht simptoma, jo shkaku", tha ai.
Obama shtoi se Trump thjesht po kapitalizon mbi pakënaqësitë që politikanët vet kanë tentuar të nxisin për vite me radhë.
“Kur krijohet një boshllëk në demokracinë tonë, kur ne nuk votojmë, apo kur ne i marrim të drejtat dhe liritë tona si të mirëqena e të falura, atëherë politika e frikës, pakënaqësive dhe strukjes zë vend”, deklaroi më tej ish-presidenti amerikan në një fjalim në Universitetin e Ilinoisit në Urbana-Champaign. .
Duke folur përpara studentëve, aty ku ai pranoi një çmim për etikën në qeverisje, Obama paralajmëroi edhe temat që do të pushtojnë fushatën zgjedhore në javët e ardhshme, ndërsa kërkoi të “zgjonte” demokratët përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.
Vërejtjet e Obamës tregojnë se ai nuk do të tërhiqet aspak në përballjen dhe goditjen e Trumpit, të cilin faktikisht Obama e ka shmangur në të kaluarën ta sulmojë me emër, pasi i dorëzoi çelësat e Shtëpisë së Bardhë në janar të vitit 2017.
Deri më tani, Obama është fokusuar në disa prej politikave “drakoniane” të Trumpit mbi emigracionin, si dhe te vendimet për t’u tërhequr nga marrëveshjet historike ndërkombëtare, si për shembull pakti i Parisit mbi klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin.
Obama hodhi akuzën e tij më të ashpër të klimës politike që është formuar nën Trump dhe Kongresin e kontrolluar nga republikanët.

Por ndërsa Obama fliste, Trump mbërriti në Dakotën e Veriut për të emëruar një mbledhës fondesh për kandidatin republikan në Senat.
“E pashë, por më zuri gjumi. Zbulova se ai është shumë i mirë për të të vënë në gjumë”, tha Trump përpara audiencës.
Presidenti kritikoi më pas paraardhësin e tij se “po përpiqet të fitojë kredite për gjërat e pabesueshme që kanë ndodhur”.
Obama theksoi në fjalimin e tij se përmirësimi i ekonomisë, që republikanët ia atribuojnë Trumpit, nisi pikërisht nën drejtimin e tij, shkruan "The Guardian".
Duke qëndruar para një turme kryesisht studentësh, Obama përmendi kaosin dhe mosfunksionimin që ka karakterizuar administratën Trump dhe atë që ai e ka përshtatur si pranimi republikan që mundësoi ndarjen e normave.
Obama e pyeti: "Çfarë ndodhi me partinë republikane?
"Nuk është konservatore, sigurisht që nuk është normale është radikale. Gjatë dekadave të fundit, politika e ndarjes, pakënaqësisë dhe paranojës fatkeqësisht ka gjetur një shtëpi në partinë republikane", tha ish presidenti.
“Antidoti ndaj një qeverie të kontrolluar nga pakica e fuqishme, një qeverie që përçan, është qeveria e përbërë nga njerëz të organizuar, energjikë dhe gjithëpërfshirës. Pikërisht tani është koha për një gjë të tillë", deklaroi Obama.
Ish-presidenti do të kalojë javën e ardhshme duke bërë fushatë për një numër të vogël të demokratëve në Kaliforni dhe Ohajo dhe pritet të përqendrohet vëmendjen e tij në rrethet konkurruese që mund të mbajnë çelësin e partisë së tij duke rifituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
"Ekzistojnë kohëra të jashtëzakonshme dhe kohëra të rrezikshme. Pas dy muajsh do të kemi mundësinë të rikthejmë pamjen e shëndoshë të politikës sonë. Ekziston vetëm një mundësi kontrolli ndaj abuzuesve të pushtetit, ajo jeni ju dhe vota juaj”, tha Obama.



