Policia e Shtetit ka dalë në një konferencë për shtyp në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e cila sipas "bluve" po shkon drejt zbardhjes.
Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku tha se autori i dyshuar i krimit është një shtetas portugez, i cili është larguar nga territori i Shqipërisë.
Ai është shpallur në kërkim së bashku me 5 bashkëpunëtorë, një shtetas shqiptar dhe katër britanikë, mes të cilëve edhe një grua.
Sipas kryepolicit dyshohet se krimi është kryer për motive gjakmarrje.
Në deklaratën e Rrumbullakut thuhet:
Policia e Shtetit e vlerësoi maksimalisht këtë ngjarje, për zbardhjen e së cilës grupi hetimor ka këqyrur, vlerësuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sërë provash të vlefshme që shërbyen për dokumentimin e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
• Gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm;
• Një predhë model 54, kalibër 7.62 mm;
• Letërnjoftim;
• Celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike dhe filmikeNjëkohësisht, grupi hetimor ka vijuar me veprime të shpejta procedurale si: marrje të deklarimeve, këqyrje dhe sekuestrim pamjesh filmike në vendin e ngjarjes, këqyrje të itinerarit të përshkruar nga autorët e dyshuar që lidhen me kohën dhe vendin para dhe pas kryerjes së ngjarjes së rëndë kriminale. Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet procedurale të kryera për këtë ngjarje janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Përsa i përket automjeteve të përdorura për kryerjen e krimit nga autorët e dyshuar është dokumentuar përdorimi i tyre nga personat e dyshuar për një periudhë kohore për realizimin e vrasjes. Në përfundim të këtyre veprimeve paraprake, nga provat shkencore të siguruara, deklarimet dhe sekuestrimet në cilësinë e provës materiale të sipërpërmendura, nga Prokuroia pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë janë caktuar masat e sigurisë për 6 shtetas, si autorë të dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit, dhe konkretisht:
1. E. H., shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike,
2. R. R. S., shtetas portugez,
3. H. J. S., shtetas britanik,
4. H. B., shtetase britanike,
5. TH. M., shtetas britanik,
6. S. P. H, shtetas britanik,Grupi hetimor vijon punën hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të organizimit dhe financimit, për ekzekutimin kriminal të shtetasit Ardian Nikulaj.



