
Muzeu Historik Kombëtar solli sot në vëmendje 18 janarin e vitit 1919, datë kur nisi punimet Konferenca e Paqes në Paris, e cila bëri bashkë fuqitë aleate fituese të Luftës së Parë Botërore (1914-1918).
E para e këtij lloji për nga formati i pjesëmarrësve dhe çështjet e ngutshme që prisnin zgjidhje. Konferenca zgjati me intervale deri më 21 janar të vitit 1920.
Synimi parësor ishte vendosja e një rregulli të ri botëror, për të parandaluar një konflikt të radhës të një dimensioni të këtillë. Ky zhvillim i arenës ndërkombëtare, qe edhe shtysë për vizitën e parë në Evropë të presidentit amerikan, Woodrow Wilson, i cili shpërfaqi 14 pika në drejtim të rendit të pasluftës. Në pikëpamjen e parashtruar prej Willsoni-t, spikaste parimi i vetëvendosjes së kombeve, krijimi i një organizate ndërkombëtare për garantimin e paqes, si dhe kufizimi i armatimeve.
Shqipëria, e cila gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis palëve kundërshtare, dërgoi në dhjetor delegacionin e qeverisë së Durrësit në Paris, të kryesuar nga kryeministri i atëhershëm, Turhan Pasha. Krahas kësaj përfaqësie zyrtare, në Konferencë qenë pjesëmarrës edhe delegacione të tjera nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut, si nga Federata Panshqiptare “Vatra” nga ShBA si dhe të tjera nga Turqia, Rumania, Zvicra e vende të tjera.
Megjithëse, Shqipëria mbajti qëndrim asnjanës gjatë Luftës së Parë Botërore, Konferenca e Paqes nuk mori në konsideratë kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar për të ruajtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar si dhe për të rikthyer në favor të tij territoret shqiptare që ishin shkëputur më 1878 dhe në vitin 1913.
Shtetet fqinje kërkuan që të merreshin parasysh pretendimet e tyre territoriale mbështetur në Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit të vitit 1915. Në këtë konferencë nuk u mor parasysh parimi i kombësisë dhe as ai i vetëvendosjes. Për të ardhmen e Shqipërisë u paraqitën disa projekte që fillonin që nga ngushtimi territorial e deri në zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta politike e Ballkanit.
Në dokumentin bashkëngjitur më poshtë, gjendet njoftimi i Parashqevi Qiriazit në revistën “Ylli i Mëngjezit”, lidhur me vendimin e saj për t’iu bashkuar punimeve të Konferencës. Qiriazi ishte e vetmja veprimtare grua e pranishme në Paris, për të evokuar mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar.



