
Emisioni “Xhadat” ka vazhduar në ditën e dytë investigimin mbi mjekimin e detyruar ambulator në vendin tonë. Përveç problematikave në qendrat shëndetësore në Tiranë, sipas investigimit tonë, problem praqet dhe Kavaja.
Në qytetin e Kavajës ka një Shtëpi Mbështetëse dhe një qendër Komunitare të Shëndetit mendor, ku trajtohen jo vetëm pacientë që kanë masën mjekim i detyruar ambulator por edhe pacientë të tjerë me problematika të ndryshme që prekin këtë fushë sëmundjeje.
Prej një viti në Kavajë mungon mjeku psikiatër, pasi ndërroi jetë nga Covid-19, e në mungesë të tij psikiatër këta pacientë janë të detyruar të shkojnë në Tiranë.
Punonjësja sociale në shtëpinë mbështetëse, Sabina Togu na tregon se mungesa e mjekut prej një viti ka sjellë vështirësitë e veta. Në këtë shtëpi janë 8 paciente, të ardhura nga spitali psikiatrik i Elbasanit që nga Nëntori vitit 2019-të.
Për shkak të mungesës se mjekut psikiatër stafi është i detyruar t’i dërgojë këto pacientë për vizita mjekësore në Tiranë. Kjo e bën edhe më të vështirë procesin kurimit apo rehabilitimit të tyre.
Të njëjtën problematikë shpreh edhe Doriela Gjuzi psikologe në Qendrën Komunitare të shëndetit mendor në Kavajë, e cila thotë se ka 1300 pacientë të kartelizuar dhe është shumë e vështirë pa mjekun psikatër. Ajo shton se për shkak të mungesës së tij qendër komunitare bën vetëm konsulta si informim dhe referim për tiranë. Shërbimi që mbulojnë janë shërbimi i psikologut dhe punonjësit social.
Edhe Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor thotë se: “Shërbimet ditore ne i kryejmë, por mungon vetëm mjeku psikiatër, pasi ndërroi jetë dhe ishte i vetmi mjek psikiatër që kishim. Ne kemi bërë 2-3 kërkesa që na mungon mjeku dhe jemi në pritje”.
Por shqetësim në vendin tonë nuk janë vetëm mungesa e mjekëve psikiatër, por janë edhe rastet kur familjarët kanë në shtëpitë e tyre të afërm me sëmundje të rënda mendore, sepse u duhet të përballen me agresivitetin, dhunën apo frikën që u rrezikohet jeta. Për këtë kategori Shqipëria ende nuk ka qendra, ku familjarët të dërgojnë të afërmit.



