
Lideri i partisë më të madhe të opozitës greke, Demokracia e Re, Kiriakos Micotakis, nuk e ka fshehur pakënaqësinë lidhur me kontrollin e pasaportës në aeroportet gjermane. Ai është shprehur se u ndie i poshtëruar dhe u vu në siklet si shtetas grek.
“U ndjeva keq si shtetas grek kur më çuan në një tjetër terminal në aeroportin e Frankfurtit dhe prita 20 minuta që të më kontrollohej pasaporta”, tha ai në një event me temë “Përgjegjësitë për reformimin e Europës”, mbajtur në Bruksel.
Micotaqis udhëtoi të martën për në Frankfurt. Por në fjalën e tij, ai nuk saktësoi nëse kontrolli i pasaportës u bë në sportelin e caktuar për zonën “Shëngen” apo jo.
Më 23 nëntor, Gjermania arriti një marrëveshje me Greqinë dhe Komisionin Europian lidhur me procedurat e kontrollit në aeroportet gjermane për pasagjerët që udhëtojnë nga Greqia.
Sipas zëdhënëses së Komisionit, Natasha Bertraud, Gjermania ka rënë dakord që tani e tutje kontrolli i pasaportës së pasagjerëve që mbërrijnë nga Greqia do të bëhen në sportelet e zonës Shëngen dhe pasagjerët nuk do të transferohen në ndarjen që u është rezervuar vendeve jashtë Shengenit. Për më tepër, sipas marrëveshjes, kontrollet do të kufizohen në identitetin e indidvidit dhe vlefshmërinë e dokumenteve të udhëtimit.
Gjermania pezulloi marrëveshjen e Shengenit për fluturimet nga Greqia në 12 nëntor, me pretendimin se pasagjerë që nuk u përkasin vendeve të BE-së po përpiqeshin të arrinin në Gjermani në mënyrë të paligjshme përmes Greqisë. Ministri i Brendshëm gjerman tha se kontrollet pas marrëveshjes zbuluan 1 mijë persona që përpiqeshin të hynin në Gjermani në këtë mënyrë.
Pasagjerët grekë filluan të përballen me kontrolle të rrepta që përfshijnë edhe hapjen e bagazheve dhe marrjen në pyetje. Ata nisën të çoheshin me autobus në zona të caktuara në aeroporte, ku prisnin gjatë në radhë.
Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, vendimi për pezullimin e Shengenit me Greqinë do të jetë në fuqi deri në maj të vitit tjetër.



