Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos

Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos

Ka ndërruar sot jetë mëngjesin e sotëm në moshën 95-vjeçare kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Lajmi i hidhur bëhet me dije nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Vdekja ka ardhur si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve.

Janullatos ndodhej prej disa javësh i shtruar në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku u transferua më 3 janar nga Tirana pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. 

Në mesazhin e lamtumirës Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, “me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në Spitalin "Evangelismos" të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin "Hygeia" të Tiranës. Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë”.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, thuhet në shënimin e Kishës Autoqefale.

Anastas Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire, Greqi. Ka qenë profesor i Historisë së Feve (1972-92) dhe Dekan i Fakultetit Teologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1983-1986) B.D dhe Th.D (me nderimet më të larta) dhe Profesor Emeritus i po të njëjtit Universitet. 

Luajti rol parësor në ringjalljen bashkëkohore të Hierapostullimit Orthodhoks në botë (nga viti 1958). I emëruar kryepeshkop i Shqipërisë në vitin 1992, ai arriti, megjithë vështirësitë e mëdha, të rindërtojë nga e para Kishën Ortodokse të Shqipërisë, e cila ishte shpërbërë nga regjimi i Hoxhës në vitin 1967.

Janullatos ka pasur pozicione të shquara në udhëheqjen e organizmave ndërkombëtarë dhe është autor i 24 librave. 

Është nderuar me 27 medalje dhe çmime nga shumë Kisha Orthodhokse dhe vende të ndryshme, si: “Kryqi i Madh i Urdhrit të Nderit i Republikës së Greqisë” (1997); çmimi “Athenagora për të Drejtat e Njeriut” (Nju Jork, 2011); çmimi për “Kontributin e shquar për unitetin e popujve orthodhoksë” (Moskë, 2005); dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Tiranë, 2010).

Në vitin 2000, pas propozimit të 33 anëtarëve të rregullt të Akademisë së Athinës dhe shumë personaliteteve shqiptare, ai u nominua për Çmimin Nobel për Paqen.

Janullatos gëzoi njohje ndërkombëtare për kontributin e tij në historinë e feve, krishterimin bashkëkohor, dialogun ndërkrishterë dhe ndërfetar dhe bashkëjetesën paqësore të popujve dhe feve.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy