Nga rreth 45 milionë euro pasuri të sekuestruara gjatë vitit 2025, një pjesë shumë e vogël përbëhet nga llogari bankare, ndërsa konfiskimet përfundimtare mbeten në nivele të ulëta.
Të dhënat ngrenë pikëpyetje mbi efektivitetin e goditjes së pasurive të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Sipas analizës së bërë nga gazetari Xhevahir Zhabina në ‘MCN Economy’, gjatë vitit janë regjistruar 871 procedime penale, një numër i konsiderueshëm që tregon intensitet në nisjen e hetimeve. Megjithatë, hendeku mes sekuestrimeve dhe konfiskimeve mbetet i theksuar.
SPAK në raportin e tij e ka pranuar se në 2025 ka pasur një ulje të vlerës së sekuestrimeve krahasuar me 2024. Këtë vit kemi rreth 45 milionë euro.
Por kur vjen puna te konfiskimet për pasuritë e krimit të organizuar, vlera është vetëm 1.9 milionë euro. Pra nga e gjithë kjo vlerë e madhe, kemi një shifër shumë të ulët.
Ai theksoi se edhe në rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, rezultatet në konfiskim janë minimale.
Ne kemi qenë dëshmitarë të disa hetimeve të mëdha për korrupsionin e zyrtarëve të lartë, por kemi vetëm rreth 100 mijë euro të konfiskuara, ndërkohë që vlera arrin në 1.1 milionë euro. Shifrat janë kokëforta. Është bërë një punë e mirë në nisjen e hetimeve, por nuk ke bërë asgjë nëse nuk godet pasurinë.
Sipas tij, problemi qëndron te mënyra si zhvillohet hetimi pasuror në Shqipëri, i cili mbetet i fokusuar më shumë te individi sesa te pasuria.
Hetimi pasuror këtu është i orientuar drejt individit, ndryshe nga modelet si në SHBA ku fokusi është pasuria. Në Shqipëri nuk hetohet origjina e pasurisë siç duhet. Gjyqtari shpesh mjaftohet me disa dokumente, por kjo nuk është një hetim i mirëfilltë. \
Duhet të shkosh në gjenezë për të kuptuar si është krijuar pasuria. Ndërsa këtu, hetimi pasuror kryhet më së shumti si hetim administrativ.



