Eksperti i Ekonomisë Eduard Gjokutaj foli në MCN Live mbi rritjen e çmimit të karburanteve në Shqipëri dhe pasojat që po shkakton në të gjithë sektorët. Gjokutaj u shpreh se kjo rritje e çmimesh do të vazhdojë dhe nuk reflekton luhatje të bursës.
Kemi filluar ta pranojmë me dhimbje një situatë të tejskajshme për familjet dhe bizneset. Ne e ndjejmë si konsumator që po shterojmë kursimet e familjeve dhe bizneseve. Kjo rritje çmimesh do të vazhdojë akoma, për sa kohë të kemi një situate të tillë kaotike në tregun tonë, që s’reflekton luhatjet e bursës. Shqipëria është vend prodhues i naftës, dhe nga ana e qeverisë duhet të bëheshin publike pse nuk shfrytëzohen mundësitë nga kontratat me hidrokarburët. Ne po përjetojmë situate të vështirë të rritjes së çmimeve, ku brenda është edhe efekti i bordit, edhe bordit. Ne s’po paguajmë vetëm çmimin e rritur të karburanteve, po paguajmë të njëjtat mallra të cilat ose po marrim mangut, ose jo cilësore”.
Gjokutaj u shpreh se ka dijeni që qeveria po sheh mundësinë për një paketë të dytë, ndërsa theksoi që duhet të rriten pagat e punonjësve për të përballuar kostot e shtuara.
Nga ç’kemi mësuar nga njerëz pranë qeverisë flitet për një paketë të dytë, e cila do bëhet surprizë. Qeveria duhet të nxiste një dialog punëdhënës-punëmarrës sa i përket pagave. Pagat nuk janë rritur dhe kjo do krijojë problem në shterimin e kursimeve të familjes. Pagat duhet të hyjnë në dialog të ri, sepse situata të tjera të jashtëzakonshme duhet të diktojnë marrëdhënie të reja. Këshilli Kombëtar i Punës duhet të luajë një rol si Autoriteti i Konkurrencës.”
Eksperti i Ekonomisë tha se Shqipëria i ka pasur resurset, por lekët e përfituara nga nafta nuk janë menaxhuar mirë.
Sektori i prodhimit, për arsye se rafinimi u prish, do kishte ndihmuar shumë në këtë momente. Prodhimi i naftës ka dhënë mesatarisht në 20 vitet e fundit, 3-4 miliardë euro, që duhet të ishin përdorur me nikoqirllëk. Shqipëria resurset i ka pasur, por lekët e naftës kanë shkuar që të mbijetojë buxheti. Nafta s’është se s’ka dhënë kontribute, ka qenë prezente në jetën tonë. Evazioni i karburanteve ka vazhduar. Cilësi e dobët do të thotë përfitim në kurriz të publikut dhe evazion në vetvete”.
I pyetur se a ka bërë sa duhet qeveria Rama, Gjokutaj tha se buxheti shqiptar është i konsumuar dhe në vështirësi.
Buxheti shqiptar prej 5 vitesh është goxha i konsumuar nga shpenzimet në infrastrukturë. Në tre vitet e fundit ka dalë tri herë në tregjet evropiane për të marrë borxh. Buxheti është në vështirësi të tillë që s’mund të përballojë kosto, subvencione për të varfrit, ulje taksash. Qeveria të tregohet e kujdesshme për të alokuar ato shpenzime që nuk kanë dalë performuese, për t’i vënë në dispozicion të të varfërve dhe bujqësisë”.



