Deputeti demokrat Dashnor Sula thotë se qysh nga dorëheqja e Lulzim Bashës, Partia Demokratike është në një moment shumë deçiziv se si do ndërtohen urat e komunikimit me palën tjetër.
Duke folur për MCN Live, Sula deklaroi se të gjithë figurat e të dyja palëve të PD, kanë kërkuar që të arrihet bashkimi i partisë nga baza deri në qendër.
Ai tha se ka qenë ndër deputetët e parë që ka propozuar një formulë se si mund të bëhet bashkimi i Partisë Demokratike.
Zgjidhja më e mirë do të ishte të kishim një periudhë tranzitore, pasi sapo kemi dalë nga një “luftë civile”, i cili është produkt i 6 marsit dhe rrethanat e reja duhen lexuar me kujdes. Periudha e tranzicionit duhet të shërbejë për të ulur tensionet. Nuk mund ta shohim bashkimin që ikën një palë dhe vjen një tjetër, nëse ndodh, ky do të ishte gabim i madh. Të dy palët duke ngritur rrugën e komunikimit si palë negociatore, duhet të gjejnë pikat se si duhet të ecë ky bashkim. Nëse njëra palë nxjerr yçkla, nuk do të ketë bashkim. Periudha tranzitore kërkon të ulen gjakrat. Si foltorja dhe pjesa tjetër kanë patur përplasje verbale dhe idesh. PD duhet të udhëhiqet në mënyrë kolegjale, ku pjesëtarë të PD dhe Foltores të bëjnë përgatitjet, për zgjedhje nga seksioni poshtë, degët e deri te kryetari lart. Nga krahu tjetër ka një emër doktori Sali Berisha, i cili mund të jetë faktori përbashkues i demokratëve, nga krahu tjetër është kryetari i komanduar Alibeaj, bashkë me grupin parlamentar, duhet të ngrenë grupin negociator. Berisha dhe Basha janë deputetë, nuk janë të përjashtuar nga politika. Këmbëngul në idenë time, se do të duhet një periudhë tranzicioni që të gjithë palët të reflektojnë.
Në vijim Sula shtoi se demokratët nuk e kanë luksin që të ikë qoftë dhe një anëtar i vetëm i Partisë Demokratike, duke nënvizuar se në 6 mars demokratët u ndanë 65% me 35%.
Sipas tij, qëllimi i një force politike është bashkimi real, për t’u përballur me kundërshtarin nesër, në mënyrë që të dalë fituese në zgjedhjet e vitit 2023.
Lidhur me vendimin e gjykatës për statutin e PD, tha se është i bindur se legjitimiteti i ndryshimeve statutore vjen nga gjykata dhe se nëse do të pranojë vendimet e Komisionit të Rithemelimit, do të thotë se aktet e tjera zhbëhen.
Sa i takon dorëheqjes së Lulzim Bashës, Sula i njohu meritën grupit parlamentar demokrat. Ndërsa nëse kandidon Sali Berisha për kryetar, ai deklaroi se sikur dhe 99 të tjerë të jenë përballë, gara për kryetarin fitohet prej tij.



