
Nga tërmeti i 26 Nëntorit, të vitit 2019 u dëmtua shkolla e mesme e bashkuar “Haxhi Lata”, Suç, e Bashkisë Klos. Nga Instituti i Ndërtimit u shpall që kjo shkollë duhet të ishte e papërdorshme deri në përforcimin e saj dhe që nga atëherë nxënësit u shpërndarë në shkolla të ndryshme për të bërë mësim.
Por përveçse janë shumë larg, mësimi në këto shkolla bëhet me orare të reduktuara. Banorët kërkojnë që të hapet shkolla, sepse nxënësit nuk mund të vazhdojnë ta zhvillojnë më kështu mësimin.
Në 2019 shkolla u dëmtua nga tërmeti. Deri në muajin Mars të 2020 nxënësit vijuan mësimin në atë shkollë. Në 2020, 3 ditë para se të fillonte viti i ri shkollor vjen Bashkia dhe thotë që fëmijët do t’i dërgojmë në shkolla të tjera, sepse shkolla është e pabanueshme.
Në aktin e ekspertizës të dalë nga Instituti i Ndërtimit thuhet që shkolla ka probleme të anës ndërtimore. Rekomandohet rikonstruksion.
Por Bashkia Klos nuk ka mundësi për arsye financimi që t’i përgjigjet Institutit të Ndërtimit dhe nuk ka firmosur. Fëmijët i shpërndanë në shkollat e zonave përreth, që janë shumë larg.
Ne kërkojmë të hapet shkolla, që fëmijët ta bëjnë mësimin ashtu sic duhet.
Emisioni “Xhadat” u interesua pranë Njësisë Administrative Suç, ku arritën të kontaktonim me administratorin, z.Mojsi Ajazi, i cili tha:
Nga inxhinierët, në muajin Korrik të vitit 2020 është vendosur që nuk do të lejohet të vazhdojë mësimi. Projektin e ka pas bërë Bashkia dhe ja ka nisur Ministrisë dhe kryetari tha që nuk ja kanë financuar.
Përderisa është projekt i ri, i bie për t’u shembur dhe të bëhet nga e para.
Pas kësaj Xhadat u drejtua në Bashkinë Klos ku specialistja e marrëdhënieve me publikun, Matilda Lleshaj, u shpreh:
I japim shumë të drejtë shqetësimit të banorëve. Nga akt konstatimet e grupeve të punës rezultoi se tërmeti ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe rekomandohet rikonstruksion i objektit ose ndërtimi i një objekti të ri. Deri në këto ndërhyrje nuk duhet që ky objekt të frekuentohet.
Pas aktit ne i kërkuam ndërhyrje Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Rindërtimit dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Nga Ministria e Rindërtimit u tha se nuk ishim një ndër qarqet e emergjencës dhe nuk përfshiheshin dot në rindërtim.
Ndërsa Ministria e Arsimit tha që menjëherë sapo të shpallet një thirrje për objektet arsimore do të ishim prioritet për rindërtimin apo rikonstruksionin e objektit të shkollës.
Deri në ndërtimin e shkollës së re, 250 nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Haxhi Lata” në Suç do të vijojnë të enden në ambiente të ndryshme, me orë mësimi të shkurtuara.



