Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki i ka kërkuar Netflix-it, kompania amerikane e prodhimit dhe transmetimit, të bëjë ndryshime në një dokumentar që përfshin një hartë ku tregohen kampe naziste të shfarosjes brenda kufijve të Polonisë moderne.
Kampet u ndërtuan nga nazistët në tokën polake gjatë pushtimit brutal të Polonisë në Luftën e Dytë Botërore, por harta e përdorur në dokumentar, tha Morawiecki, nënkupton që Polonia ekzistonte në atë kohë si një komb i pavarur brenda kufijve të saj të pasluftës dhe kështu mund të ndajnë përgjegjësinë për mizoritë.
Harta shfaqet në një seri dokumentarësh në Netflix të titulluar "Djalli te porta ngjitur” që shkon në gjurmët e historisë së John Demjanjuk, i dënuar nga një gjykatë gjermane në vitin 2011, për rolin e tij si roje naziste e kampit të vdekjes gjatë luftës.
"Nuk ka asnjë koment apo sqarim për çfarëdo që këto vende (në hartë) përdoreshin nga Gjermania", tha Morawiecki në një letër drejtuar Reed Hastings, CEO i Netflix, më datë 10 nëntor, gjë që u publikua në faqen e kryeministrit të hënën.
"Meqenëse vendi im në atë kohë as nuk ekzistonte si shtet i pavarur dhe miliona polakë u vranë në këto vende, ky element i" Djalli te porta ngjitur” nuk është asgjë më pak rishkrim i historisë", tha ai.
Morawiecki tha se beson se gabimi ishte i paqëllimshëm dhe se kompania do ta korrigjonte shpejt, qoftë duke modifikuar hartën ose duke dhënë shpjegime të tjera për shikuesit.
I pyetur për këtë çështje, një zëdhënës i Netflix i tha Reuters: "Ne jemi të vetëdijshëm për shqetësimet në lidhje me dokumentarin dhe por punojmë për të gjetur zgjidhjen”.
Polonia është shumë e ndjeshme ndaj gjithçkaje që mund të lërë të kuptohet për bashkëpunim në krimet naziste të kryera në territorin e saj.
Partia qeverisëse nacionaliste për Ligj dhe Drejtësi (PiS) vitin e kaluar miratoi një ligj që lejon gjykatat të burgosin këdo që e bën një sugjerim të tillë, megjithëse më vonë ky ligj u ndryshua pas presionit të SHBA-ve për të hequr mundësinë e dënimit me burg.
Polonia ka qenë atdheu i një prej komuniteteve më të mëdha hebraike në botë para se ai të zhdukej pothuajse plotësisht nga nazistët.
Gjatë dekadave të sundimit komunist sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, polakët u mësuan të besonin se, me disa përjashtime, se e kishin përballuar me nder një luftë që vrau një të pestën e popullsisë.
Shumë polakë ende refuzojnë të pranojnë kërkime që tregojnë se mijëra polakë morën pjesë në holokaust, ndërkohë që mijëra të tjerë rrezikuan jetën e tyre për të ndihmuar hebrenjtë.
Një gjykatë gjermane e dënoi ukrainasin Demjanjuk në vitin 2011 pasi kokludoi se si ka ndihmuar në vrasjen e 27 000 hebrenjve në kampin e vdekjes Sobibor, në Poloninë e pushtuar. Ai vdiq në vitin 2012 në një azil gjerman, në moshën 91 vjeç përpara se të shkonte në apel.



