Deputetja e opozitës, Fatjona Dhimitri i ka kërkuar "llogari ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj për punën e policisë për shembjen e Teatrit.
Ministri iu përgjigj pyetjeve të deputetes së opozitës Fatjona Dhimitri teksa kjo e fundit, nga foltorja i ka treguar një nga një fotografitë e shkrepura më 17 maj dhe që dëshmojnë rastet e dhunës së policisë ndaj protestuesve.
“O Zoti ministër që u mërzitët për trishtimin tim, unë trishtohem kur barbari godet popullin e tij, unë trishtohem për paaftësinë tuaj. Dhuna të denigron. Vetëm për ju dhuna është ligj. Nuk është kjo dhunë?

Cili është agresioni i këtij individi? Po mbrohet me duar para fytyrës… Dhunës tuaj nuk i kanë shpëtuar as gratë.
Zoti Ministër, të drejtat e njeriut janë të ndërvarura, të pandashme, universale. Shteti që ju drejtoni është i dhunshëm”, i tha Dhimitri Lleshajt.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj iu është përgjigjur sot disa prej deputetëve që thirrën një interpelancë me të në lidhje me debatin për përplasjet e policisë me protestuesit gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar. Lleshaj shprehu keqardhjen që disa prej deputetëve të opozitës së re, thirrën një interpelancë me të, por nuk kanë shkuar sot në Kuvend. Ai sqaroi edhe rolin e policisë në këtë operacion.
“Keqardhje që disa prej deputetëve që thirrën interpelancën nuk janë këtu. Mirëkuptoj të gjithë ata që u prekën nga ngjarjet e datës 17 maj 2020. Me keqardhje kam parë që historia e teatrit ka degraduar në një sherrnajë politike, që pamundësoi çdo diskutim konstruktiv për çështjen por margjinalizoi debatin me ata që e dinë vetë se çfarë është Teatri. Dua të sqaroj se policia nuk shkoi vetë tek Teatri, por iu përgjigj thirrjes dhe detyrimit ligjor, siç iu përgjigjet mijëra thirrjeve që merr çdo ditë. Kjo është detyra e policisë, e aq më tepër kur thirrja vjen nga institucionet. Policia nuk shkoi si palë, shkoi në zbatim të ligjit, për një vendim të ligjshëm. Hipokritët duhet të dinë se policia nuk ka luks t’i bëjë vetë ligjet, por ka për detyrë t’i zbatojë ato. Ligji e detyron policinë të përgjigjet ndaj çdo thirrjeje. U thirr nga IKMT dhe Bashkia Tiranë, prona e bashkisë kontrollohej nga një grup personash që nuk kishin lidhje me godinën. Për 27 muaj godina që uzurpuar nga persona që s’kishin lidhje me godinën. Policia vajti atje e thirrur nga autoriteti pronar. Cfarë alternativash kishte policia më 17 maj? Dy, ose të shkonte dhe t’i përgjigjej kërkesës së bashkisë për mbështetje ose ta refuzonte. Policia ka zgjedhur plotësimin e detyrimit ligjor. Unë besoj fort se thirrjet patetike dhe histerike, drejtuar policisë për të braktisur detyrën, për të hedhur kapelet, dëshmojnë vetëm një gjë: sa larg jemi ne me parimet elementare të funksionimit të shtetit dhe drejtësisë. Policia s’është gjykatë. Nëse ne do t’i krijonim policisë shqiptare, luksin që t’i prodhonte vetë ligjet. Pas 30 vitesh ka ardhur koha, që t’i kuptojmë dhe t’i zbatojmë disa parime elementare. Së pari, jo dhunë. Asgjë s’arrihet përmes dhunës. Një shoqëri e avancuar, e monopolizon dhunën tek institucionet. Po të jetonte sot at Gjergj Fishta, duhet të na i përsëriste ca gjëra", u shpreh ministri.
Ministri Lleshaj u ndal edhe njëherë tek debati sepse policët që ishin në operacionin për shembjen e Teatrit Kombëtar, shumë prej tyre ishin pa numra identifikimi. Lleshaj tha, se emrat e efektivëve mund të jepen vetëm në prokurori, dhe se asnjë person tjetër nuk ka tagër për të ditur detajet e operacionit.
“S’do t’i merrni kurrë emrat e policëve që ishin pa numra në protestën tek Teatri. Sepse ju s’keni tagër për atë gjë. I vetmi institucion që ka tagër për të marrë të dhënat e policëve që ishin tek Teatri është prokuroria. Edhe në SHBA që ndodh protesta, shihni, ka gjë policë me targa në gjoks? Ata policë identifikohen nga drejtuesit e tyre.”,-tha Lleshaj.
10:26h Përdhunimi i 15-vjeçares / Deputeti Valteri: Të rikthejmë dënimin me vdekje
Deputeti i opozitës së re, Halit Valteri ka bërë thirrje që të rikthehet dënimi me vdekje, nisur nga ngjarja e rëndë që u regjistrua një javë më parë në Babrru, ku një 15-vjeçare u përdhunua nga ish-roja e shkollës dhe tre persona të tjerë.

Nga foltorja e Kuevndit, Valteri tha se persona të tillë “duhen varur në mes të qytetit”.
“Kush është pedofil të varet në mes të qytetit, ta rikthejmë dënimin me vdekje dhe njëherë se këta maskarenjë nuk meritojnë të jetojnë, Bëj thirrje ta diskutojmë të flasim dhe njëherë, kush përdhunon fëmijë të varet në mes të qytetit”, tha Valteri.
09:38h Sot në seancën e Kuvendit interpelancë me ministrin e Brendshëm Lleshaj
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare ku do të ketë një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm kërkuar nga një grup deputetësh lidhur me dhunën e ushtruar nga forcat e policisë gjatë operacionit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar si dhe me kriminalitetin në vend.
Gjithashtu në Kuvend do të prezantohet raporti i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019.
Në kuvend do të bëhet edhe Raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2019.
Në Kuvend pritet të diskutohet edhe raporti i veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2019.
Kuvendi diskuton sot edhe Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për Eurobondin që do të emetohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”.
Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë sot projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 102/2017 “Për ngritjen e komisionit të posaçëm për realizimin e reformës zgjedhore” të ndryshuar””.



