
Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino ka nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në axhendën e numrit 1 të futbollit botëror ishte programuar edhe një takim me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Sipas mediave amerikane, ky takim është zhvilluar në prag të Kupës së Botës 2026, të caktuar për tu organizuar në 3 shtete, SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Pas shkëmbimit të dhuratave me Trump, i cili mori fanellën me emrin e tij me numër 26, Infantino i sugjeroi presidentit amerikan të përdorte kartonat e verdhë dhe ata të kuq gjatë konferencave për shtyp.
Trump nuk ka humbur kohë dhe për të gjithë gazetarët e pranishëm i nxori kartonin e kuq. Carlos Cordeiro, president i futbollit amerikan, bëri shaka me Trump, kur i tha gjatë konferencës se mund ta përdorë atë në 'sesionin e ardhshëm të medias'.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë i tha kreut të futbollit botëror se: "Djali im Barron e do futbollin dhe futbolli duhet të jetë një nga sportet me rritje më të shpejtë në botë. Dhe puna që keni bërë është me të vërtetë fantastike, Gianni."
Mirë po kaq ka mjaftuar që tifozët të reagojnë në rrjetet sociale duke i kujtuar presidentit Trump se futbolli është loja më e ndjekur në mbarë botën dhe jo një 'sport në rritje'.
Infantino u takua me Trump për të diskutuar Kupën e Botës 2026, të cilën Shtetet e Bashkuara do të presë së bashku me Kanada dhe Meksikë.
Infantino parashikoi se edicioni i vitit 2026 do të jetë ngjarja më e madhe sportive në botë.
Më shumë se tre miliardë njerëz rreth globit mendohet të kenë parë të paktën një ndeshje të Kupës Botërore të këtij viti në Rusi.



