Serbia ia ka dalë ta vërë në diskutim statusin e Kosovës që prej kohës kur ajo shpalli pavarësinë. Në një analizë të botuar në faqen Europa.com.al, dr. Sylë Ukshini argumenton se as Shqipëria dhe as vetë Kosova nuk kanë bërë sa duhet për të përballur “agresionin” serb, të shndërruar tashmë në një formë tjetër pas luftës së vitit 1999.
Këtë fushatë, Serbia e ka nisur që në vitin 2006, kur Grupi i Kontaktit i dha Beogradit të drejtën e vetos për statusin e Kosovës. Në atë kohë, Beogradi e e kundërshtoi pavarësinë e Kosovës dhe bëri përpjekje të vazhdueshme diplomatike që të kontestonte ligjshmërinë ndërkombëtare të aktit të pavarësisë dhe në të njëjtën kohë përdori komunitetin serb për një agresion nga brenda.
Edhe pse në 2010, Asambleja e Përgjithshme e OKB konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, “Beogradi me mbështetjen e shumicës së vendeve të BE-së dhe të Rusisë, në shtator të vitit 2010 ia arriti të merrte mbështetjen e shumicës së vendeve të Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së për miratimin e rezolutës për “dialog mes Prishtinës dhe Beogradit”.
Ukshini shprehet në analizë që kjo rezolutë, e cila nuk u kontestua ose nuk u kuptua drejtë nga pala kosovare, ishte një formë e butë e kontestimit të vendimit të GJND-së ose thënë më saktë, krijonte një simetri në mes të vendimit të GJND-së dhe rezolutës së OKB-së.
Beogradi sipas tij e shfrytëzoi këtë moment për të dalë me tezën se po bisedohej për statusin e Kosovës, gjë që nuk u kundërshtua asnjëherë nga BE-ja, e cila ndihmonte e monitoronte këtë proces.
Pretendimi serb se dokumenti i Ahtisaarit nuk ishte i mjaftueshëm solli edhe kërkesën për autonomi, e cila sipas Ukshinit fshihet nën termin asociacion.
“Me një qasje të tillë, nuk do të ishte aspak befasi, nëse në vijim Beogradi dhe vendet kundërshtare të pavarësisë, në vijim te deklaronin se edhe ky kompromis nuk bënë punë dhe tani duhet nisur nga e para”, shkruan ai.
Në këtë linjë, si paralajmërim të keq ai sheh edhe deklaratën e të deleguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, se “pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të jetë e pranueshme gjithçka që është e pranueshme për Serbinë”. Kjo bëri që serbët lokalë të pranon çdo gjë që u leverdis nga pakoja e Ahtisarit, por pa e njohur as edhe sot në pjesën që ka të bëjë me shqiptarët dhe statusin e Kosovës.
Ukshini ndalet në strategjinë e Serbisë për mohimin e krimeve të luftës të kryera mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, si një mënyrë për të mbajtur pezull normalizimin e marrëdhënieve.
Ai analizon ndikimin që pati në këtë aspekt raporti Dick Martit dhe më pas libri i Carla del Pontes, të cilat i sheh si një koordinim mes Rusisë dhe autoriteteve të Beogradit.
Përballë kësaj fushate, kundërreagimi ka munguar. Diplomacia shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup kanë qenë tepër të ngadalta në këtë drejtim.
“Pra, në Kosovë dhe në Shqipëri, ndaj raportit të Dick Marty-t nuk pati një kundërpërgjigje të duhur, u qëndrua duarkryq. Në anën tjetër, Beogradi, fare haptas, e nisi kundërfushatën e tij për të përmbysur të vërtetën rreth luftës në Kosovë. Ndërkohë që një vit më parë Tribunali Ndërkombëtar për Krime të ish-Jugosllavisë kishte shpallur fajtorë ish-zëvendëskryeministrin serb N. Shainoviq dhe një grup gjeneralësh serbë për krimet e luftës e kundër njerëzimit të bëra në Kosovë më 1999. Në këtë rast klasa politike në Kosovë, e po ashtu edhe në Shqipëri, bashkë me ta, edhe elita akademike duket sikur u kap në befasi ose ishte e hutuar nga etja për pushtet. Ne edhe pse kishim dosjet tona ngjethëse, edhe me rekomandimin e ndërkombëtarëve për të mos e frenuar dialogun dhe normalizimin e raporteve, nuk i bënim të ditura. “Hajt se bota e dinë çfarë krimesh ka bërë regjimi i Milosheviqit në Kosovë”, ishte refreni i zakonshëm justifikues i shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë, Serbia vazhdonte të përsëriste gënjeshtrën e saj për krimet e shqiptarëve ndaj popullatës serbe dhe sa herë që kapte brenda territorit serb ndonjë pjesëtar të ish-UÇK-së, aktakuza ishte e gatshme: “krime lufte”. Madje, Beogradi kishte lëshuar rreth 170 fletarreste përmes organizatës ndërkombëtare policore INTERPOL, për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan Ukshini.
Kjo heshtje nga ana e diplomacisë shqiptare, sipas Ukshinit, ka bërë që bota të mos jetë shumë e qartë se në cilën anë qëndron e drejta.
“Diplomacia shqiptare andej dhe këtej kufirit mund ta akuzonte Beogradin zyrtar në organizatat dhe institucionet e ndryshme ndërkombëtare, jo vetëm për civilët e ekzekutuar, por edhe për mirëja civilë të zhdukur, për dhunimin e mbi 20.000 mijë grave e burrave shqiptarë, për dëmet e mëdha ekonomike, të shkaktuara si pasojë e luftës etj. Andaj, konstatojmë që të dy shtetet tona, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë bërë sa duhej, ngase është dashur të kërkonin me ngulm zbardhjen e të vërtetës, në mënyrë që të rrëzonin gënjeshtrat e Beogradit”, shkruan ai.
Me uljen e palëve për herë të parë në bisedime, Kosova humbi sërish. Sipas Ukshinit, pala kosovare bëri një lëshim që ia shtoi ambiciet Beogradi.
“Pra, fusnota, ishte hapi më i gabuar i vetëkontestimit të shtetësisë. Të paktën kompromisi ka qenë i gatshëm, në këto takimi rajonale si Beogradi ashtu edhe Sarajeva kanë mundur t‘i drejtohen palës kosovare me emërtimin e dikurshëm në ish-Jugosllavi vetëm si Kosovë. Pas kësaj marrëveshje, Beogradi i shtoi ambiciet për kompromise që do ta lëndonin boshtin e shtetin të Kosovës dhe tani ndodhemi tek kërkesa për asociacion me kompetenca ekzekutive dhe me një përballje të madhe dhe të pazakonshme, me Dhomat e Specializuara në Hagë, ku tashmë ndodhet ish-presidentit i shtetit, Hashim Thaçi, dy ish-kryetarët e Parlamentit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe kryetari i Grupit parlamentar të VV-s, deputeti Rexhep Selimi”, shkruan ai.



