
KLP po zhvillon mbledhjen për vlerësimin e tre kandidaturave për Prokurorin e Përgjithshëm. KLP ka bërë të ditur renditjen e kandidatëve pas vlerësimit. Në krye të listës qëndron Olsian Çela me 459 pikë, i ndjekur nga Arta Marku me 406 pikë dhe Fatjona Memçaj me 362 pikë.
Renditja që përcaktohet nga numri i pikëve i çohet Kuvendit për votim. Vendimi është miratuar me 11 vota pro dhe hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të këshillit.
“Jemi kujdesur të jemi sa më transparent me publikun për mënyrën se si përzgjidhen dhe emërohen kandidatët. Sot bëmë pikëzimin sipas rregullores që parashikon vlerësimin sipas 4 kritereve lidhur me aftësitë profesionale, integritetin personal, aftësitë drejtuese dhe kriteret shtesë, që i jep këshillit mundësinë të krijojë disa nuanca. Procesi përmbledh të gjitha vlerat e reformës në drejtësi. Kushtetuta parashikon që KLP ka fjalën e parë në procesin e rëndësishëm. Ne i çojmë Kuvendit një listë me 3 kandidatë. Ka qenë një proces i zgjatur por që nuk varet vetëm nga këshilli ynë. Sot do të ndajmë rezultatet e punës sonë përzgjedhëse”, tha kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.
Tre kandidatët e mësipërm, në rast pretendimesh, mund ta apelojnë vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda një afati 3-ditor.



