Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë së policisë nga kompania “Sori-al” ka thelluar hetimet e autoriteteve duke shpallur në kërkim administratoren e kompanisë Alma Tafani, bashkëshortja e biznesmenit Nikolin Jaka dhe duke arrestuar kuzhinierin Kujtim Ballgjini dhe teknologen Kristjana Plaka.
Gazetari Besmir Pula raportoi për “MCN Live” se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer verifikimet përkatëse në subjektin “Sori-al”, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e katering-ut pranë këtij institucioni, ushqim që vjen i gatshëm prodhuar në ambientet e garnizonit “Skërnderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura Tiranë dhe ka aplikuar gjobë ndaj tij.
Ndër të tjera gazetari shtoi se pavarësisht kërkimit të një reagimi, kompania nuk ka mbajtur qëndrim deri më tani.
Sipas kontrollit të ushtruar të ambientet e kuzhinës së vendosur brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme.
Nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme katering nga subjekti “Sori-al”, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë.
Më konkretisht në moment kontrolli u konstatua pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë u krye kontroll edhe në ambientet e subjektit “Sori-al” me adresë “Garnizoni Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, ku u konstatua se OBU nuk u gjet në proces pune pasi prodhimi kryhet në orare të caktuara.
Në subjekt nuk u konstatua produkt i gatshëm për konsum, pasi produktet e prodhuara shpërndahen menjëherë tek pikat kontraktuese.
Për qëllim të inspektimit në subjekt janë marrë mostra për produktet e konstatuara dhe më konkretisht djathë i bardhë lope, kos lope, vezë, sallam për analizim të ngarkesave mikrobiologjike të cilat u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
U bllokua sasia gjendje prej 67.3 kg produkte,1350 kokrra vezë, dhe ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë në vlerën e 100 mijë lekëve.



