Deputeti demokrat, Eduart Halimi, e ka nisur fjalën e tij sot në Parlament me akuza ndaj maxhorëncës për lidhje të ngushta me krimin. Halimi tha se kryeministri Rama ka përzgjedhur dhe mbajtur afër elementë të inkrimunar, për të fituar zgjedhjet dhe për të vënë nën presion zëra brenda partisë.
Halimi ritheksoi qëndrimin e PD-së për votimin dhe numërimin elektronik, që sipas tij është një domosdoshmëri për zgjedhje të lira e të ndershme.
Në përgjigje të këtyre akuzave, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi që opozita të flaës me emra kur përmend të inkriminuar, ndërsa shtoi se kërkesa për votimin elektronik është një alibi për humbjen e pritshme në zgjedhjet e qershorit.
Ruçi: Ku janë 19 deputetët e inkriminuar? Deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë. Kemi miratuar një ligj me konsensus, deputetët janë para sovranit. Pse shpikni? Thoni një emër! Kë ka hequr PS nga Parlamenti për ta emëruar në administratë?
Në zgjedhje do ta merrni vesh se cili është bilanci i kësaj maxhorance dhe kësaj qeverie. Nxorët alibinë për votimin dhe numërimin elektronik, a thua se nuk ishit këto 3 vitet e fundit, a thua se nuk keni qenë vetë në pushtet. E gjitha është alibi. Kodin e keni bërë siç keni dashur. Mos bëni fushatë me këtë çështje!



