
Gazetari Klodian Tomorri foli në edicionin e lajmeve në MCN TV lidhur me sulmin kibernetik ndaj AKSHI-t, që ka paralizuar që prej ditës së premte aksesin e qytetarëve në portalin e-Albania. Gazetari u shpreh se sulmi i fundit ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme dhe ka pasur si qëllim paralizimin e infrastrukturës dixhitale të vendit.
I pyetur mbi partneritetin e qeverisë shqiptare me “Microsoft Albania”, Tomorri tha:
Partneriteti me ‘Microscoft Albania’ ka filluar që në kohën e qeverisë Berisha. Konsiston në fuqizimin e teknologjisë së informacionit, brenda është edhe siguria kibernetike, është marrëveshje që qytetarët shqiptarë e paguajnë. Jemi përballë një sulmi që s’ka pyetur as për partneritet strategjike as për mënyrën si është ndërtuar infrastruktura”.
Duke folur mbi kontratën e shpallur nga qeveria me kompaninë amerikane “Jones Group International”, Tomorri tha se kemi pak informacione mbi marrëveshjen e cila deri më sot ka qenë sekrete. Gazetari u shpreh skeptik nëse kompania në fjalë ka kapacitetet dhe ekspertizën e duhur për të siguruar mbrojtjen kibernetike të shtetit.
Nuk e dimë nëse është lidhur kontrata ose jo. E dimë që u shpall kontrata, ju e mbani mend kur kryeministri tha ‘jemi me kompaninë e njohur amerikane ‘Jones group’, që do fuqizoi mbrojtjen kibernetike të Shqipërisë’. Është një marrëveshje sekrete, e lidhur dhe e negociuar nga AKSHI. Nuk e dimë sa është vlera që paguan qeveria. Se dimë çfarë shërbimesh ofron kompania amerikane. Ajo që dimë është që nuk hyn te kompanitë e mirënjohura botërore për këtë fushë. Janë Microsoft, IBM, që janë gjigantë ndërkombëtarë në fushën e TIK dhe sigurisë kibernetike. ‘Jones group’ është një kompani me ‘turnover’ nga 3-5 miliardë dollarë në vit. Praktikisht shumë e vogël me kompanitë e mësipërme që kanë të ardhura vjetore 100 miliardë dollarëshe. Shpresoj të ketë kapacitetet dhe ekspertizën e duhur. Ka pasur problematika në disa orë, por është rikthyer normaliteti. Nga e premtja i gjithë shteti dixhital është në kolaps dhe i bllokuar. Më lind pyetja a e kemi ne infrastrukturën e IT dhe kapacitetet për të siguruar mbarëvajtjen e anës dixhitale të shtetit?!”
Ai u shpreh se ne si shtet nuk kemi mundur të ruajmë të dhënat brenda vendit, jo më përballë grupeve të fuqishme dhe të sofistikuara.
Nga ajo që unë shoh, ky s’ka qenë një sulm që ka pasur për objektiv të vjedh të dhënat e shqiptarëve. Me sa duket, qëllimi i sulmit ka qenë të paralizojë infrastrukturën dixhitale të vendit. Dëmi është i jashtëzakonshëm. Sot në këtë shtet nuk bën dot asnjë procedurë. Ishte qeveria që hoqi sportelet fizike, shkriu ADISA-n, dhe një qytetar që kërkon një shërbim s’ka asnjë zgjidhje. Sa i përket historisë së të dhënave, ne si ruajmë vet këtu brenda për brenda, jo t’i ruajmë nga grupe të fuqishme dhe të sofistikuara”.



