
Kryeministri Edi Rama i ka dërguar sot një letër të dytë publike kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, me anë të së cilës e fton sërish për dialog pa kushte. Me gjithë refuzimin e djeshëm nga Basha, të cilin Rama e quan ‘brutal’, sot Rama i ridërgoi rivalit të tij politik kërkesën për dialog pa humbur kohë.
Në letrën e tij, Rama shprehet se nuk i duhet fati politik i Bashës apo grupimit politik. “Rrënimi i plotë që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vendin e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës”, shprehet Rama në letër.
Nuk ka vonuar as përgjigjja e Bashës, i cili me anë të një statusi të gjatë në “Facebook” e refuzon ftesën për dialog. Basha shprehet se i vetmi dialog ku do të përfshihet është ai kombëtar për të çliruar vendin oligarkët e politikën nga paratë e pista. Basha shprehet i palëkundur për largimin e Ramës nga kreu i qeverisë, por nuk përsërit qëndrimin e deritanishëm për shtyrjen e zgjedhjeve vendore.
LETËR E DYTË PUBLIKE LULZIM BASHES
Zoti Kryetar, e mora reagimin Tuaj ndaj letrës së djeshme ende pa u “tharë boja” e saj dhe nuk jam aspak i çuditur, me refuzimin brutal të Dialogut nga ana Juaj. Por, duke qenë se detyrimi im është të këmbëngul, pa humbur durimin, në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun, mbetem i vendosur t’Ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut.
Natyrisht, Ju jeni në të drejtën Tuaj ta udhëhiqni grupimin Tuaj politik drejt humnerës, duke marshuar përditë sikur jetoni në një botë paralele, pa ligje, pa rregulla, pa të tjerë që mendojnë krejt ndryshe nga Ju në këtë vend, e që janë shumica dërrmuese (përfshirë edhe shumicën e votuesve Tuaj) dhe jashtë këtij vendi – pa përjashtim të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë.
Ju jeni në të drejtën Tuaj t’u drejtoheni shqiptarëve sikur janë gjindje pa vetëdije, që s’dinë ç’është demokracia, ligji e vetë liria dhe t’i trajtoni miqtë e partnerët ndërkombëtarë të vendit sikur nuk ekzistojnë.
Ju jeni po ashtu në të drejtën Tuaj të synoni tërheqjen pas Jush të pak individëve që mbase, kushedi, mund të jenë gati të kryejnë krime zgjedhore e të humbasin lirinë e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal për ato krime dhe më tej akoma, t’i thonë lamtumirë edhe lirisë së hyrjes në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian, si persona të padëshirueshëm në një botë që rrotullohet përmes zgjedhjeve demokratike, jo përmes dhunës mbi to.
Por, i dashur Lulzim, për fat të mirë Ju s’jeni vetëm në këtë vend dhe as ata që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe, gjithnjë e më të paktë, nuk janë asfare populli i këtij vendi. I cili lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur, nuk i ka marrë borxh nga Ju apo nga unë dhe po ashtu, nuk Ju’a ka borxh as Juve, as mua e askujt në botë, mosmbajtjen në kohë e në paqe të zgjedhjeve të radhës.
Kështu që përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë.
Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të.
Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj. Edhe njëherë, mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë.
Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.
Edi Rama
23 maj, 2019
* * *
Letra e Lulzim Bashës
Të dashur bashkëqytetarë,
Dje, Gjykata e Lartë mbeti vetëm me dy anëtarë dhe praktikisht është asgjësuar, pasi ajo nuk mund të gjykojë më asgjë. Mbi 40 mijë çështje presin të shqyrtohen nga kjo Gjykatë, një pjesë e madhe çështje të të drejtave njerëzore dhe të të drejtës së pronës, shumë prej tyre kundër dhunimeve të qeverisë. Për të gjithë ju që prisni drejtësi ajo do të vonojë të paktën 4-5 vjet dhe më shumë.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë anëtar prej 2 vitesh, duke lënë pa asnjë kufizim pushtetin e kryeministrit i cili tani qeveris me fermane personale. Pa Gjykatë Kushtetuese, Kryeministri u është lëshuar për të grabitur me “ligje” speciale pronat tuaja private dhe pronat tona publike nga qendra e Tiranës në të gjithë bregdetin.
Dje, pasi shpalli hapur se shqiptarët janë më mirë pa gjykata, Edi Rama më dërgoi mua një letër për të më ftuar në “dialog”, pra, që unë dhe ai të ulemi për të biseduar, sepse, sipas tij, kështu e kërkon demokracia.
Në të vërtetë demokracia e kërkon që pushteti të burojë nga populli dhe të dialogojë me popullin, demokracia kërkon që mosmarrëveshjet që nuk i zgjidh dot politika t’i zgjidhë populli, me votë.
Por për Edi Ramën arti i qeverisjes demokratike është i huaj, ai është artist në artin e mashtrimit. E gjithë qeverisja e tij ka qenë grabitje dhe mashtrim i popullit, i pasurive publike dhe dhunim i çdo vlere demokratike e perëndimore.
Sikur Edi Rama të kishte qoftë edhe një fije respekt dhe vëmendje për popullin, sikur tek ai të kishte vetëm një fije vetëdije demokratike, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit.
Ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kriminelët i kishte bërë deputetë; kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues; kur Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë; kur ylli i qeverisë së tij Saimir Tahiri doli që ishte trafikant droge; kur kompania e Qazim Sejdinit u kap me drogë; kur Fatmir Xhafaj u zbulua që mbronte vëllain trafikant; kur u zbulua se Olsi Rama ishte i lidhur me grupin e Xibrakës; kur plasën njëra pas tjetrës skandalet e koncesioneve qindra milionashe; kur u zbuluan 30 milion eurot që ai donte t’i vidhte dhe pastronte në Amerikë me një kompani fallco.
Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se ai i vodhi zgjedhjet e 25 qershorit me Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe kriminelët më famëkeq të vendit.
Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur njerëz të varfër u rrahën dhe vdiqën në qelitë ku mbaheshin për fatura dritash apo shtesë banese pa leje; kur qytetarëve të Shkozës, Bulevardit të Ri, të Himarës e kudo në Shqipëri u prishi shtëpitë pa shpërblim dhe pa proces ligjor; kur helmoi me gaz qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre.
Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen sa herë që Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatava nga BE; kur shqiptarët filluan të emigronin në masë pa asnjë shpresë; kur investitorët perëndimorë filluan të largohen njëri pas tjetrit nga Shqipëria për t’u zëvendësuar me oligarkë vendas apo me kriminelë rusë apo lindorë; kur qeveritë europiane u alarmuan sepse Shqipëria u shndrrua në bazë të sigurtë të krimit të organizuar.
Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Shqipërisë sikur Shqipëria të ishte pronë e tij private. Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Kosovës sikur Kosova të ishte prona e tij private.
Edi Rama nuk e dha asnjëherë dorëheqjen, por e mbajti pushtetin me çdo mjet, me kriminelë, me para, me oligarkë, me media, dhe po e shkreton vendin çdo ditë. I konsumuar tërësisht nga pushteti, i degraduar nga krimi dhe korrupsioni, i shteruar nga çdo ide e dëshirë për të qeverisur, ai sot po mban peng të ardhmen europiane të shqiptarëve.
Të dashur bashkëqytetarë,
Vendi ynë ka shumë plagë të thella, të cilat duan ide, vullnet dhe punë të shërohen. Sot, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë politik, ekonomik e shoqëror. Ne duhet të çlirojmë politikën nga paratë e pista dhe autokracia, të çlirojmë ekonominë nga oligarkët, nga monopolet e dhuna shtetërore, të krijojmë mundësi që çdo shqiptar të ketë shanset të gëzojë punën dhe talentin e tij; të krijojmë një shoqëri të drejtë për të gjithë.
Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve, para së gjithash ne politikanëve.
Për këto sfida ne kemi filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës. Ky është i vetmi dialog që ndryshon Shqipërinë dhe i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë.
Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit.
Ndryshimi i madh që duam të gjithë, standardet europiane në Shqipërinë tonë mund të arrihen vetëm nga një pushtet që buron nga vota e lirë e qytetarëve dhe ushtrohet në emër të tyre.
Prandaj, ju ftoj që të bashkohemi të gjithë në protestat tona për largimin e tij, dhe në dialogun kombëtar për ndryshimin e vërtetë që duhet të sjellim për garantuar të ardhmen Europiane të Shqipërisë.
Sinqerisht
Lulzim Basha



