Gazetari Arian Çani komenton kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit Alqi Bllako si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Ai thotë se çudia më e madhe zgjat 3 ditë në Shqipëri dhe se kjo që po ndodh është një lloj inercie që nuk do krijojë shqetësime në radhët e mazhorancës.
Duke folur për MCN Tv, Çani deklaroi se Edi Rama u duk gjasme i shqetësuar, pasi po e ngacmonin gazetarët dhe sikur nuk donte t’iu përgjigjej pyetjeve direkte.
Ai nuk harron të thotë se përgjegjësia është individuale dhe se nuk jemi në komunizëm. Jo Bllako dhe Koka, të bien, por edhe 30 të tjerë të bien, apo edhe ministra, Edi Rama nuk preket. Ky është pakti i drejtësisë së re. Sakrifica, lodhja, pagjumësia, për të krijuar këtë lloj drejtësie, është që Edi Rama të mos preket. Një aferë e tillë kaq e zhurmshme dhe ku të gjitha letrat janë hapur në tavolinë, po të kishte drejtësi normale si në çdo vend tjetër, edhe sikur mos të kishte përgjegjësi, SPAK do shkonte direkt te Rama, se është numri 1. Ministrat janë zgjatime të Kryeministrit, çdo gjë fillon dhe mbaron te Kryeministri. Ndryshimi është se Berisha nuk i lëshonte të vetët, edhe kur ishin të pafajshëm dhe të fajshëm. Edhe kur Prokuroria e cila ishte armiqësore, ngrinte ndonjë akuzë ndaj tij. Ndërsa Rama i lëshon. Unë nuk mbaj mend që doktori të ketë shitur ndonjë, të paktën publikisht, siç bën Rama. Në këtë pikë Rama është më dinak, më pervers politik. Kur ndjen që ka një rrezik, ai tërhiqet mënjanë, nuk jam unë. Drejtësia të bëjë punën e vetë. Pastaj nxjerr Manjat dhe kompani, të cilët përsërisin mesazhin e sulltanit, bosit, është një lojë perfektë e gjitha. Rama nuk lëviz, një bie për Ramën, qindra ngrihen. Dy janë njerëzit që SPAK nuk guxon ti prekë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, edhe sikur të ketë patate të nxehtë. Publiku e kupton vetë, mos më pyesni pse.
Çani shtoi se mund ti prekë një ditë kur këta mos të jenë në pushtet, por se deri sa të vijë ajo ditë do të kalojë shumë ujë.
Për gazetarin, Alqi Bllako dhe Lefter Koka nuk do të thonë gjë, por se në një vend tjetër mund të humbnin zgjedhjet, por nënvizoi këtu zgjedhjet blihen dhe votat vidhen.
Çani tha se përderisa këtu s’ka zgjedhje, pak rëndësi ka se sa i revoltuar është ai si qytetar që po e vjedhin, në kushtet kur në një vend nuk ka zgjedhje të rregulla Alqi Bllako dhe kompani, nuk krijojnë asnjë dëm për pushtetin, por se Rama fillon e mburret në këtë moment me reformën në drejtësi, dhe thotë se nuk është e kapur.
Vetëm te Rama dhe Veliaj drejtësia është e kapur, por rëndësi ka të mos kapë njerëzit që e kanë ideuar. Sistemi i drejtësisë është produkt i Ramës dhe Veliaj, me ndihmën e Amerikës, Soros. Nuk janë kaq të fuqishëm rastësisht, kanë krijuar një infrastrukturë që i ndihmon të jenë të paprekshëm. Ka dy mundësi që ti rekësh këta personazhe, që nuk mund ti them dot publikisht se ka kosto.
Lidhur me ndryshime të mundshme në qeveri, Çani shprehet se Edi Rama mund të bëjë çfarë të dojë, i ka në dorë të gjithë dhe se njerëzit që ka aktualisht në qeveri i ka 99% anonim.
Të isha unë do i shkarkoja të gjithë dhe do i mbaja të gjithë. E ka bërë piramidale strukturën, nuk ekziston njeri tjetër veç Edi Ramës. Mund të jenë të gjithë në qeveri se nuk kanë vlerë si të tillë. Kanë vlerë nëse i zgjedh i madhi. Çfarëdo arnimi të bëjë Rama, në thelb nuk ndryshon asgjë, përderisa është ai. Nuk jemi në një vend demokratik, por autokratik, me veshje false autokratike. Ka vetëm një individ. Nuk ka asgjë tjetër, se mos ke opozitë, apo njerëz që dalin çdo ditë në rrugë dhe bllokojnë trafikun. Nuk ka frikë pasi zgjedhjet blihen përpara, shpërndahen çeqe, futen në administratë me mijëra njerëz. Kur në një vend nuk respektohet vullneti i zgjedhësve për të zgjedhur trupën qeverisëse, patjetër që është vetëm një njeri. Ndaj jam gati të vë bast, se e ashtuquajtura drejtësi, është në funksion të dy njerëzve. E fus dhe atë tjetrin se ai është pasardhësi ky dhe ky tjetri i Tiranës. Nëse papritur ndodh ndonjë aksident dhe papritur ndonjë të bëhet i penduar dhe vendos të flasë për shefin, a do jenë në gjendje ta bëjnë dhe kanë guxim dhe këllqe ta thonë se nuk e bëmë pa miratimin e Ramës? Është perlë e gjithë kjo situatë.
Pyetjes nëse në mbledhjen e nesërme të grupit parlamentar demokrat të parashikuar për të enjten, do të shkojë Lulzim Basha, e cilësoi si diçka pa interes.
Ti mendon se i plas njeriu nëse do shkojë ose jo Basha në mbledhje? Edhe po ta pyesje tani, nëse do shkonte, do thoshte nuk e di. Nuk besoj se do ketë guximin ta bëj, gjithçka mund të ndodhë. Varet si e këshillojnë. Ka 2-3 njerëz që e këshillojnë Bashën, varet se çfarë do i thonë ata. Është me rëndësi që nëse shkon, a do i japë dorën apo jo. Se doktori tha se nëse do ishte në zyrën e Alibeajt, do i jepte dorën. Të shohim nëse Basha e ka kaluar traumën.



