
Prokuroria e Përgjithshme i është përgjigjur Partisë Demokratike lidhur me akuzat ndaj Valdrin Pjetrit, i zgjedhuri i 30 qershorit si kryebashkiak i Shkodrës, por që një ditë më parë u tërhoq nga posti për t’u përballur me ligjin si qytetar i thjeshtë.
Në një përgjigje drejtuar PD, organi i Akuzës thekson se procesi i verifikimit ndaj Valdrin Pjetrit ka nisur që më datë 6 gusht 2019.
Pergjigja
Më datë 05.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar kërkesën tuaj për verifikim të detajuar të subjektit Valdrin Pjetri, në zbatim të ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Brenda njëzetekatër orëve, ka filluar procedura e verifikimit.
Më datë 06.08.2019, me administrimin e formularit të vetëdeklarimit të subjektit Valdrin Pjetri prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurori i Përgjithshëm ka filluar procesin e verifikimit të plotë e të gjithanshëm brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Konkretisht:
Më datë 06.08.2019, i është dërguar shkresa për verifikim Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, organeve të prokurorisë(prokurorive pranë gjykatës së shkallës së parë, prokurorive pranë gjykatës së apelit, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda). Më datë 09.08.2019, shtetasit Valdrin Pjetri i është kërkuar të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore.
Për sa i përket proçedurës së verifikimit jashtë territorit të Shqipërisë, më datë 06.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke iu kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të shtetasit Valdrin Pjetri.
Në vijim tëkësaj proçedure, më datë 14.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ndihmë juridike për subjektin Valdrin Pjetri, duke bashkëngjitur të dhënat kriminale të dënimit penal në shtetin italian, të vëna në dispozicion me shkresën tuaj nr. 121/2 prot., datë 13 gusht 2019.
Për sa më sipër ju sqarojmë, se në zbatim të afateve të parashikuara në Kreun 5, pika 9, të Vendimit nr 17, të Kuvendit të Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” do t’ju komunikojmë rezultatin e verifikimit.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Valdrin Pjetrit për t’u dorëhequr nga posti i kryebashkiakut, pas akuzave të PD se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge.
Rama shkruan në “twitter” se Pjetri nuk është kriminel, siç e cilësonte një ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha, duke shtuar se ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt që në kohën e PD.
"Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme! Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje! Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë. Jo vetëm kaq,po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive", shkruan Rama.



