
Mungesa e një rruge alternative kalimi, por edhe standardi që ofron sot Rruga e Kombit, nuk mund ta justifikojë tarifën e vendosur për mjetet që kalojnë aty. Ekspertët e ekonomisë, Agm Binaj dhe Elvin Meka shprehen se nuk ka garanci se koncesionari do t’i përdorë këto para për investime.
"Që të vendosësh një taksë në një rrugë, duhet që atij që kalon me mjetin e tij ose udhëtarit duhet ti krijojë një alternative, pra duhet të ketë një rrugë tjetër dytësore, që unë mund të kaloj në këtë rrugë, por mund të kaloj edhe në këtë rrugën tjetër. Në qoftëse më mban xhepi kaloj në autostradë, në të kundërt unë ndjek rrugën më të gjatë. Në këndvështrimin tim kjo taksë është e parakohshme. Për mendimin tim, të gjithë ata që kalojnë në tynel, sepse është një investim që kanë bërë shqiptarët dhe ka shkurtuar goxha rrugë, atje duhet të ketë një tarifë, por jo 5 euro, mund të jetë 1.5 ose 2 euro. Dhe do ishte normale", theksoi Agim Binaj.
Ndërsa eksperti i ekonmisë, Elvin Meka mbështet idenë për një qasje të re në mirëmbajtjen e rrugëve, por sheh me skepticizëm përdorimin e parave që qytetarët paguajnë për llogari të privatit.
"Në eksperiencën shumë vjeçare, të funksionimit të gjërave në Shqipëri, është evidente që pavarësisht nga taksat ose shpenzimet e ndryshme dhe qytetarët shqiptarë paguajnë në kthim nuk e marin të plotë këtë vlerë të shpenzimit. Në kushte të tilla rruga të mirëmbahet madje dhe të plotësohet me kushtet e munguara", theksoi Meka.



